Foto: Jeff Hovenier, Twitter

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë: Masat e qeverisë ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffery Hovenier ka deklaruar se ShBA mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse-dalëse.

Në një postim në Twitter, Hovenier ka shkruar se të dyja këto masa janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin në koordinim me komunitetin ndërkombëtar.

“SHBA mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, shkruan Hovenier.

Një ditë para se të hynte në fuqi vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serb për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugën në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinje dhe Bërnjak.

Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.