Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti pret në takim zëvendës ndihmës Sekretaren e Shtetit, Lisa Johnson

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka pritur sot në takim zëvendës ndihmës Sekretaren e Shtetit, Lisa Johnson, nga Byroja Ndërkombëtare për Luftën kundër Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit.

Gjatë këtij takimi,  zëvendës ndihmës Sekretarja e Shtetit Johnson dhe drejtori i Policisë, Mehemti diskutuan për progresin e sundimit të ligjit në Kosovë, sfidat e vazhdueshme dhe sukseset e fundit në luftën e prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve në rajon, korrupsionin dhe trendet tjera të krimit me të cilat ballafaqohet Kosova.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua për pilot programin e ardhshëm, i cili do t’i pajisë policët e përzgjedhur të Kosovës me sisteme të kamerave për trup, me plan që viteve të ardhshme Policia e Kosovës plotësisht të pajiset me këso kamera.

Në mbyllje të takimit, drejtori Mehmeti ka thënë se ky edhe një herë ilustron lidhjet dhe partneritetin e fortë në mes komuniteteve për zbatimit të ligjit në Kosovë dhe SHBA.

“Së bashku, ne përsëri do i tregojmë botës fushat e ndryshme në profesionin e policisë në të cilat Policia e Kosovës vazhdon të zhvillohet dhe forcojë aftësitë e saj për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer të gjithë popullit të Kosovës. Policia e Kosovës do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për ta forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet tashmë fantastike ndërkombëtare me partnerët tanë globalë, veçanërisht me INL-in dhe ICITAP-in të cilëve ju jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme”, tha drejtori i Përgjithshëm Mehmeti.

Vizita u përmbyll me ceremoninë e nënshkrimit për dhurimin e sistemit të ri për komunikim të sigurt që do të përdoret nga hetuesit në terren.