Kjo është pasuria e ushtruesit të detyrës të drejtorit të Policisë, Fehmi Hoti

Pas dorëheqjes së ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, detyrat dhe përgjegjësitë e tij do të bien mbi Fehmi Hotin, tashmë ushtrues detyre i drejtorit të  përgjithshëm të Policisë.

Hoti në vitin 2022 ka bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Sipas këtij deklarimi, Hoti ka pasuri të paluajtshme në vlerë 590 mijë euro.

Lloji i pasurisë së tij thuhet se janë pesë banesa, tri toka, një shtëpi dhe një lokal, që të gjitha të trashëguara nga familja dhe në pronësi të përbashkët.

Sa i përket pasurisë së luajtshme, Hoti thuhet se ka dy vetura, njëra në vlerë 10 mijë euro në pronësi të përbashkët edhe një veturë tjetër në pronësinë e tij në vlerë 25 mijë euro.

Hoti para të gatshme të mbajtura në institucione financiare i ka gjithsej 38 mijë e 174 euro.

Sa i përket të hyrave vjetore, Hoti pagë mujore nga Policia merr 1 mijë e 739 euro e 3 centë, ndërsa për orë shtesë nga marsi 2021 deri në shkurt 2022, që thuhet se kanë qenë gjithsej 271 orë shtesë, ai figuron se ka marrë 2 mijë e 720 euro.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi gjatë ditës se ka pranuar kërkesën për dorëheqje nga Samedin Mehmeti.

Sveçla tha se dorëheqja e Mehmetit erdhi për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, para tri ditësh.

“Tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra z. Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm z. Fehmi Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës” – thuhet tutje në njoftimin e Sveçlës.

Policia e Kosovës sot e ka arrestuar edhe personin e pestë, i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares.

Më 27 gusht 2022, në një park të kryeqytetit, një vajzë e 11-vjeçare dyshohet se përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht brenda një intervali kohor prej 7 orëve, nga disa persona.

Jep dorëheqje drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti