Jep dorëheqje drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka ofruar dorëheqjen e tij.
Këtë e ka konfirmuar me anë të një postimi në Facebook, Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.
“Sot gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga z. Samedin Mehmeti drejtor i Policisë së Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Sipas këtij të fundit, dorëheqja e Mehmetit, erdhi për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, para tri ditësh.
“Tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra z. Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm z. Fehmi Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Sveçlës.
Policia e Kosovës sot e ka arrestuar edhe personin e pestë, i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares.
Më 27 gusht 2022, në një park të kryeqytetit, një vajzë e 11-vjeçare dyshohet se përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht brenda një intervali kohor prej 7 orëve, nga disa persona.