Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha thotë se nuk janë parë forca serbe në territorin e Podujevës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se nuk është e vërtetë që forca serbe janë parë në territorin e Kosovës gjatë ditës së sotme, 17.02.2024.

Ai tha se nuk ka diçka, e se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka pas patrullim në atë zonë.

“Jo s’ka diçka, KFOR ka pas patrullim në atë zonë” – tha Hoxha.

Një media në Kosovë ka raportuar duke u thirrur në një prononcim të një qytetari se në Bervenik të Podujevës janë para forca serbe.

Media nuk ka treguar nëse ka marr ndonjë konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës apo ndonjë burim tjetër i informacionit.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani dha për KALLXO.com detaje shtesë për këtë rast.

Ai ka thënë se lidhur me informacionin e publikuar në disa media/portale, ku thuhej se një qytetar ka parë forcat serbe se kanë hyrë në territorin e Kosovës diku në zonën kufitare, në fshatin Bervenik të komunës së Podujevës, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë veprime konkrete duke trajtuar këtë informacion.

“Bazuar në informacionet zyrtare bëhet fjalë për patrullime të përbashkëta, që KFOR me kontigjente të caktuara, realizon me autoritet policore serbe, ashtu siç realizon edhe patrullime të përbashkëta me njësitet relevante të Policisë së Kosovës” – tha Kelani.

Tutje zëdhënësi tha se Policia e Kosovës me njësitet relevante, përfshirë ato kufitare vazhdon patrullimet policore në ruajtje të rendit kushtetues, ofrim të sigurisë dhe parandalim të krimit trans kufitar.

(Shënim: Lajmit i është bashkangjitur përgjigja nga zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani – Koha e editimit: 19:30 – 17.02.2024)