Faton Thaçi rrëfen për rrahjen brenda objektit të Postës

Dy punëtorë të Postës së Kosovës u dërguan në polici dje pasi ishin përfshirë në një rrahje brenda objektit të ndërmarrjes.

Njëri nga dy drejtorët e përfshirë në këtë ngjarje është ndaluar ndërsa tjetri është liruar.

KALLXO.com mësoi i involvuar në këtë rast ishte edhe Drejtori i Operativës, Faton Thaçi, i cili thotë se ishte sulmuar nga Drejtori i Shërbimeve Postare, V. T.

Ky i fundit është në ndalim nga policia për veprën penale të sulmit.

“Jam sulmuar verbalisht e fizikisht nga personi në fjalë në vendin tim të punës, është vërtetuar dhe po trajtohet si sulm ndaj personit zyrtar, për këtë temë nuk kam komente më shumë, rasti tani është pranë organeve të Policisë dhe Drejtësisë”, thotë Thaçi për KALLXO.com.

Ai shton se të gjitha provat materiale i ka siguruar policia dhe është duke u marrë me rastin.

“Ju kërkoj ndjesë por nuk kam koment tjera për mos ta penguar procesin e drejtësisë. Ajo çka mund të them është se unë jam sulmuar verbalisht e fizikisht në vendin tim të punës i cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar”,  tha tutje ai.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme për incidentin që kishte ndodhur brenda objektit të Postës së Kosovës.

Këta të fundit kanë thënë që do të ndërmerren masa në lidhje me rastin.