Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori i Institutit Arkeologjik merret në ‘pyetje’ nga një komision disiplinor i MKRS-së

Për orë të tëra, një komision disiplinor i formuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë të mërkurën (20.09.2023) në ‘pyetje’ drejtorin e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha.

MKRS ka formuar një Komision disiplinor për drejtorin Rexha më 1 gusht 2023. Ky komision është formuar me kërkesë të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Komisioni disiplinor ka për detyrë të hetojë dhe verifikojë një sërë akuza të ngritura nga ministri Hajrulla Çeku, ndaj drejtorit Rexha për keqmenaxhim të IAK-së dhe në fund siç ka kërkuar ministri pezullimin nga puna të drejtorit të IAK-së.

Drejtori Rexha ka konfirmuar për KALLXO.com, se ndaj tij është duke u zhvilluar një procedurë hetimore.

Ai ka akuzuar ministrin Çeku se po e përdor këtë komision për ta larguar nga puna – posti që mban si drejtor i IAK-së, në mënyrë të paligjshme. Rexha i ka quajtur thashetheme akuzat e bëra nga ministri Çeku në adresë të tij, në kërkesën për formimin e Komisionit disiplinor. Rexha thotë se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër Çekut.

MKRS nuk ka dashur të komentojë akuzat e Rexhës, dhe thotë se do të dalë me njoftim pasi të përfundojnë proceduar disiplinore.

Kërkesa e ministrit Çeku për themelimin e Komisionit disiplinor kundër Enver Rexhës u bë në kohë e zbulimit të një pllake antike në Lokalitetin Arkeologjik të Ulpianës.

Arkeologët e IAK zbuluan muajin e kaluar një mbishkrim të dedikuar për perandorin Justinian dhe gruan e tij Teodora – ‘Urbem Dardania’ që do të thotë ‘Qytet në Dardani’” –  e që sipas arkeologëve këtu dëshmohet origjina dardane e perandorit më të madh bizantin. Zbulimi u duartrokit nga drejtues të institucioneve shtetërore, duke përfshirë edhe ministrin Çeku.

Rexha: Akuzat të mbështetura në thashetheme

Në një prononcim për KALLXO.com, drejtori i IAK-së, Enver Rexha ka thënë se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë duke i quajtur thashetheme dhe vlerësime të pa-argumentuara.

“Akuzat janë në shkresën – dokumentin e procedimit të Komisionit Disiplinor për mua nga Ministri H. Çeku. Aty shkruhet – ’pretendohet’’ se, ‘herë unë e herë IAK nuk kam/kemi vepruar me kohë në përgjegjësitë e veprimtarisë së punës së IAK’,  kemi bërë shkelje të detyrave, obligimeve zyrtare, etj. Të gjithë ‘’akuzat’’ e tij do t`i kundërshtoj, argumentoj me dhjetëra shkresa të punës së IAK si, raporte, vlerësime, kërkesa e të tjera (Pra me dokumentacion të Protokoluar – dokumentacion zyrtar me qindra faqe përmbajtjeje ku dëshmohen angazhimet e IAK dhe të mijat në fushën e arkeologjisë’’- ka thënë Rexha për KALLXO.com.

Ai ka thënë se asnjëherë gjatë punës së tij në IAK e sidomos si drejtor i këtij institucioni nuk ka marrë vlerësime negative, por vetëm pozitive nga MKRS. Ai ka thënë se më 04.09.2023 ka ngritur Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, kundër Hajrulla Çekut, ministër i MKRS-së.

Akuzat për komision disiplinor

MKRS nuk ka komentuar akuzat e Ruxhës në drejtim të ministrit Çeku. Në një përgjigje për KALLXO.com MKRS ka thënë se do prononcohen pasi Komisioni disiplinor të marrë një vendim rreth drejtorit Rexha.

“Në bazë të dispozitave ligjore, Komisioni i caktuar për rastin e drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha është duke e shqyrtuar lëndën dhe duke mos dashur që në asnjë formë të ndërhyjmë në punën e tyre, do të prononcohemi pasi të përfundojnë procedurat dhe të merret vendimi”- ka thënë MKRS.

Megjithatë në kërkesën e ministrit Çeku për themelimin e Komisionit disiplinor për drejtorin e IAK-së, Enver Rexha, (një kopje të së cilës e posedon KALLXO.com) janë renditur një sërë akuzash në adresë të Rexhës për keqmenaxhim të IAK dhe sektorit të arkeologjisë në vend.

Në kërkesën e ministrit, drejtuar zëvendës sekretarit të përgjithshëm të MKRS, për themelimin e një komisioni disiplinor ndaj Rexhës, që mban datën 31.07.2023, por protokolluar më 28.08.2023,  thuhet se kabineti i ministrit ka pranuar raportime për shkelje të detyrave dhe përgjegjësive nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, konkretisht drejtori Rexha.

“Jemi të njoftuar mbi rastet të dështimit të kryerjes së detyrave të punës me pasoja të rënda, dhe për të cilin rast ne konsiderojmë se përgjegjës është drejtori i IAK-së- Enver Rexha, si përgjegjës më i lartë ekzekutiv i institucionit”- thuhet në kërkesën e ministrit Çeku për themelimin e Komisionit disiplinor, duke renditur edhe  një sërë pikash shkeljesh e mos menaxhim të Institutit nga Rexha.

Dështimi i zbatimit të politikave për mbrojtje të trashëgimisë arkeologjike, angazhimi i arkeologëve në projektet të IAK-së jashtëligjshëm, mungesën e botimeve nga fusha e arkeologjisë e për gjendjen e krijur në Kalanë e Novobërdës, janë disa prej akuzave të renditura në kërkesën e ministrit Çeku për themelimin e Komisionit disiplinor për Enver Rexhën.

“Gjatë zbatimit të projektit të rivitalizimit të lokalitetit arkeologjik Kalaja e Novobërdës, janë vërejtur parregullsi të zbatimit të punimeve konservuese/rindërtim, gërmimet arkeologjike, nxjerrja dhe bartja e paautorizuar e gjetjeve nga vendi i origjinës. Parregullsitë e konstatuara dëshmojnë dështimin e zbatimit të mandatit edhe të IAK, si institucion përgjegjës”- thuhet në njërën nga pikat e ngritura nga ministri Çeku për ngritjen e komisionit kundër drejtorit Rexha. Në fund ministri kërkon nga Komisioni Disiplinor që komisioni të marr vendim për pezullimin e menjëhershëm të detyrave dhe përgjegjësive të Enver Rexhës nga detyra e drejtorit të IAK-së.

Përplasja MKRS- IAK

Përplasje mes MKRS dhe institucionit të saj Vartës -Instituti Arkeologjik i Kosovës janë përcjellë për vite. Por, ato u rënduan pas mbylljes së llogarive në bankat komerciale të institucioneve vartëse të MKRS-së, më 2018.

Drejtues të IAK-së për vite janë për mungesë infrastrukturore dhe mos mbështetje të MKRS-së për realizmin e përgjegjësive të saj ligjore. Dhjetëra punëtorë të lokalitetit arkeologjik në Dresnik të Klinë për muaj të tërë janë lënë pa rroga nga MKRS. Ndërsa në fund të vitit të kaluar mbi 70 punëtorë të institucioneve kulturore ishin lënë pa kontrata. Pjesa dërmuese e tyre punonin për vite të tëra në institucionet kulturore.