Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Mbi 70 punëtorë të MKRS mbesin pa kontrata pune, rrezikohen asetet e trashëgimisë kulturore
Mbi 70 punëtorëve të angazhuar me procedura të prokurimit ose me kontrata mbi vepër (MSHV) nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në muajt shtator – tetor të këtij viti u kanë skaduar kontratat e punës.
Pjesa dërmuese e tyre janë roje ose mirëmbajtës në lokalitete të trashëgimisë apo institucione tjera kulturore vartëse të MKRS-së.
MKRS thotë se me përfundimin e kontratës të angazhuarit nuk kanë vazhduar më bashkëpunimin me MKRS-në dhe institucionet vartëse. Por, mëse dy muaj pas skadimit të këtyre e kontratave disa prej punëtorëve me kontrata të tilla vazhdojnë të dalin në punë (vendet e punës), edhe pse nuk paguhen, me shpresë se kontratat do t`u vazhdohen.
Dalja e tyre në punë, pavarësisht skadimit të kontratave po kontribuon në sigurinë e lokaliteteve të trashëgimisë arkeologjike.
Shumë prej këtyre punëtorëve për vite të tëra kanë punuar me kontrata të përkohshme të angazhuar nga MKRS e të shpërndarë edhe në institucionet vartëse të saj, qoftë si roje apo mirëmbajte në lokalitete arkeologjike e të trashëgimisë, në Muzeun Kombëtar, Galerinë Kombëtare, teatër, etj.
Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Muzeut të Kosovës (SHSPMKK) e konsideron skandaloze situatën dhe mos veprimin e MKRS me kohë për të mundësuar vazhdimin e kantatave të këtyre punëtorëve.
Angazhimi i punëtorëve përmes prokurimit
Në një përgjigje për KALLXO.com, MKRS thotë se për plotësimin e vendeve vakante ka hapur thirrje publike.
Sipas saj, janë 74 zyrtarë me kontrata me procedura të prokurimit, të cilëve tashmë u ka skaduar kontrata.
Ndërsa, aktualisht ka 59 zyrtarë të angazhuar me kontrata të tilla.
“MKRS ka angazhuar staf përmes procedurave të prokurimit e cila lejohet përmes rregullave të veçanta të hartuara nga KRPP dhe si i tillë këto kontrata nuk janë kontrata klasike për MSHV ku kontrata mund të iu vazhdohet pa konkurs të rregullt. Stafi që ka qenë i angazhuar përmes procedurave të prokurimit në tetor të vitit 2021 ju ka skaduar kontrata në kohë 29.09.2022 deri me datë 10.10.2022” – thuhet në përgjigjen e MKRS-së.
“Të gjitha kontratat e MSHV-ve që iu kanë skaduar në këtë kohë ishin në periudhe 12 mujore dhe se vazhdimi i tyre (mund) të lejohet vetëm në formatin e 10% të vlerës financiare, që i bije do të mund të kishte vazhduar edhe vetëm një muaj (duke e parë se vetëm aq kemi mundësi të vazhdimit të kontratave edhe përmes një opinionit të KRPP-së, nuk është vazhduar asnjë kontratë për as një ditë më shumë se sa kontrata që ata e kanë pas)” – ka thënë MKRS.
Tutje MKRS thotë se me përfundimin e kontratës, zyrtarët e angazhuar nuk kanë vazhduar më bashkëpunimin me MKRS-në dhe institucionet vartëse.
“Asnjë kontratë nuk do të vazhdohet. MKRS ka hapur një konkurs përmes procedurave të prokurimit, në kritere bazike (vetëm si rezultat të plotëson hendekun apo zbrastësinë). Asnjëri nga ta nuk do të iu vazhdohet kontrata e skaduar. Asnjërit prej tyre nuk iu pa mundësohet aplikimi në procedurat e reja që MKRS do t’i hap dhe i ka të hapura” – thuhet në përgjigjen e MKRS-së.
Por, MKRS nuk ka treguar se ku dhe në cilat pozita ishin të angazhuar këta punëtorë. Apo si mbulohen pozitat pas skadimit të kontratave.
Pa kontrata, por vazhdojnë të dalin në punë
Pavarësisht, kantatave të skaduara disa prej punëtorëve kanë vazhduar të dalin në punë. KALLXO.com nga burime të ndryshme ka verifikuar se të tillë kanë vazhduar punë në lokalitete arkeologjike – në Institutin Arkeologjik, në Galerinë Kombëtare e në Muzeun Kombëtar. KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të drejtuesve të institucioneve vartëse të MKRS, por, vetëm një prej tyre ka kthyer përgjigje.
Alisa Gojani, zëvendësuese e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se në këtë institucion një prej punëtorëve që i ka skaduar kontrata vazhdon të dalë në punë. Ndërsa është përgjigjur me “Po”, kur është pyetur nëse ai vazhdon të dalë në punë, pavarësisht skadimit të kontratës.
“Qe dy muaj ne s’kemi marrë paga, unë dal çdo ditë në punë dhe sinqerisht me harxhime të mia e kam siguruar dhe mirëmbajt lokalitetin”- ka thënë për KALLXO.com në kushte anonimiteti, një prej punëtorëve që u kanë skaduar kontratat, por që vazhdon të dali në punë.
Ndërkaq, SHSPMKK përmes një komunikate për media, ndër problemet e evidentuara në Muzeun Kombëtar, cek edhe çështjen e punëtorëve me kontrata të përkohshme.
“Shqetësuese mbetet edhe mos vazhdimi i kontratave për punëtorët me MSHV në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe vonesat e pagesave për të angazhuarit tjerë” – thuhet në komunikatën e SHSPMKK- së.