Spitali Mitrovice

Drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës tregon se ku është i plagosur njëri nga sulmuesit

Drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zhubi ka dhënë detaje rreth gjendjes së  personit të plagosur, pjesë e grupi të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Zhubi ka thënë se personi ka ardhur më lëndime nga arma e zjarrit në këmbë.

Drejtoresha ka theksuar se gjendja e personit ka qenë stabile.

“Personi ka ardh me lëndime nga arma e zjarrit dhe thyerje. Pas ekzaminimeve tona është udhëzuar për në QKUK. Ai ka ardhur këtu dhe është nisur për në QKUK me parametra stabil. Ne kemi ekipet tona por kemi edhe përforcime që nga mëngjesi. Të gjitha spitalet rajonale, Vushtrri e Prishtinë janë në gatishmëri.  Personi i parë që ka ardh nga komuniteti serb, pas plagë hyrëse dhe dalëse në pjesën e këmbës nga arma e zjarrit si dhe një thyerje në ekstremitetin e poshtëm. Ai ka qenë i vitit të lindjes 1975”- ka thënë Zhubi.

Ajo ka bërë të ditur se në orët e mbrëmjes ndihmë mjekësore ka kërkuar edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

“Tash, ka ardh edhe një polic i joni, i cili ka lëndime në dy ekstremitetet e poshtme, për shkak se ka pësuar rënie gjatë kryerjes së detyrës” – njoftoi ajo.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.