Foto: Policia e Kosovës

Dosja: Si ra në pranga "Kaça", njeriu me 34 dosje në polici?

Besim Zeqiri i njohur si “Kaça”, Aleksandër Mihajloviq i njohur si “Acko”, Zhelko Koshanin i njohur si “Zeks”, Marko Miljkoviq dhe Jovan Gjukiq u arrestuan më 11 gusht 2023 nën dyshime për kontrabandim me mallra në veri të Kosovës.

Ndërsa N.N i cili dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të policëve mbetet i paidentifikuar dhe i paarritshëm për organet e rendit.

Në mesin e të dyshuarve është Besim Zeqiri, i cili në dosje thuhet se ka qenë i përfshirë në plot 34 incidente, shumica prej të cilave janë të natyrës së kontrabandimit të mallrave.

Kurse i dyshuari Aleksandër Mihajloviq ka katër incidente, natyra e të cilave nuk specifikohet. Ndërsa të dyshuarit e tjerë nuk kanë të kaluar kriminale – sipas dosjes.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të dyshuarit kanë kontrabanduar mall nga shteti i Serbisë në Kosovë në mënyrë ilegale me qëllim të shmangies së obligimeve doganore mirëpo ishin kapur nga policia përmes veprimeve operacionale.

Me rastin e kontrollit së njërit prej automjeteve të përfshira ishin gjetur 3 pako të llojit TROCADERO, 150 pako me nga 10 kuti cigare, 236 pako me nga 10 kuti cigare si dhe 6 pako me nga 10 kuti.

Ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja të armës pistoletë dhe një e armës së gjatë.

Në vendngjarje policia kishte sekuestruar mallin e kontrabanduar dhe mjetet të cilat i kanë shërbyer për kryerjen e veprës.

Tek i dyshuari Aleksandër Mihajlkoviq janë gjetur dy radiolidhje për komunikim dhe një e njëjtë është gjetur tek afër njërit prej automjeteve.

Fillimisht, i dyshuari Jovan Gjukiq ka dalë nga vetura dhe ka komunikuar me dikë në telefon në gjuhën serbe duke thënë “rruga është e pastër” kurse pas një kohe të shkurtër ka ardhur një veturë tjetër ku ishin të dyshuarit Zhellko Koshanin dhe Marko Miljkoviq.

Këta të fundit, sipas dosjes, kishin dalë nga vetura duke folur vazhdimisht në telefon dhe kishin filluar të shkonin në drejtim të zyrtarëve policor ku ata ishin fshehur.

Disa minuta më vonë në vendngjarje kishte ardhur edhe një veturë tjetër në të cilën ishin të dyshuarit Besim Zeqiri me vëllain e gruas së tij – të dyshuarin Aleksandër Mihajloviq.

Dosja thotë se pas futjes në kontroll të këtyre pesë të dyshuarve, është afruar edhe një veturë tjetër të cilën policia e kishte shenjëzuar të ndalojë.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com thuhet se N.N kishte dalë nga automjeti nga i cili kishte shtënë dhe ka ikur në drejtim të panjohur. I njëjti tanimë ndodhet në arrati dhe mbetet i paidentifikuar për organet e rendit.

“Zyrtari policor i kanë dhënë shenjë të ndalet por i njëjti nuk ka përfillur urdhrat e policëve dhe ka filluar të bëjë lëvizje mbrapa duke tentuar që të godas policët të cilët ishin pozicionuar në rrugë, gjatë lëvizjes mbrapa i pandehuri N.N e ka hapur derën e automjetit të tij dhe ka filluar të shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor’ lexon në dosjen e Prokurorisë.

Paraburgimi iu caktua edhe të dyshuarit Aleksandër Mihajloviq, kurse Zeljko Koshani, Marko Milkoviq dhe Jovan Gjukiq u liruan në procedurë të rregullt.

Kjo masë iu caktua nga gjyqtari i procedurës paraprake Genc Hasani sipas kërkesës së Prokurorisë së përpiluar nga Prokurori Arian Xhema.