Euro, foto: Pixabay

Dosja e Gjykatës: "Qiti paret", vajza dënohet për sulm fizik ndaj babait

Gjykata e Gjakovës e ka gjetur fajtore një vajzë për dhunë në familje, saktësisht për sulm fizik ndaj babait të saj. Për këtë vepër ajo është dënuar me burg prej 180 ditëve dhe me 150 euro gjobë.

D.Q, sipas vendimit të Gjykatës më 16 maj 2022 në shtëpinë e tyre në Gjakovë i ka shkaktuar keqtrajtim fizik prindit të saj – të dëmtuarit I.Q, pasi i kishte kërkuar para.

“E akuzuara në mënyrë të vazhdueshme, kërkoi para nga i dëmtuari për shkaqe të ndryshme, ndërsa në ditën kritike pasi përsëri i kërkoi para, i dëmtuari i thotë që nuk ka, por do t’ia jap të nesërmen pasi nuk i kishte dalë rroga ende, e akuzuara ishte revoltuar dhe për një moment, duke i thënë “qiti paret” e sulmoi të dëmtuarin, duke e goditur në pjesën ballore të kokës” – thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sipas këtij vendimi, e njëjta ishte larguar menjëherë nga shtëpia, ndërsa pas raportimit të rastit, i dëmtuari kishte refuzuar të këtë trajtim mjekësor, me çka tek i dëmtuari ka shkaktuar dhembje dhe shqetësim emocional.

Për këtë vepër penale e pandehura është dënuar me gjobë në shumë prej 150 euro, të cilën është e obliguar që ta paguajë në afat prej 15 ditësh si dhe i është shqiptuar dënim me burgim prej 180 ditëve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse e akuzuara brenda kohës së verifikimit në afatin prej 1 viti, nuk do të kryejë vepër tjetër penale.

Ndërsa, nëse dënimi me gjobë nuk mund të paguhet, atëherë gjykata do ta zëvendësojë dënimin me gjobë në dënim me burgim në kohëzgjatje prej shtatë 7 ditësh, duke llogaritur për çdo ditë burgu nga 20 euro.

Për këtë rast, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë më 8 dhjetor 2022. Në aktakuzë thuhet se e akuzuara e ka pranuar fajin për veprën penale dhe ka shprehur keqardhje për veprimet e veta, babait i ka kërkuar dhe falje publike, dhe ka thënë se që nga dita kritike nuk kanë asnjë problem mes vete, jetojnë së bashku dhe për të njëjtin kujdeset vet.

“Është penduar për veprimet e veta dhe i ka premtuar gjykatës që kurrë më në të ardhmen nuk do të përsërisë këtë vepër penale, ngase ditën kritike ka qenë shumë e nervozuar, i ka kërkuar të holla për ta rregulluar telefonin dhe kjo ka qenë arsyeja se përse ka kryer një vepër të tillë” – thuhet në aktakuzë.

Ndërsa, viktima ka deklaruar se të dëmtuarës ia ka falur, e po ashtu ka kërkuar nga gjykata që të njëjtën ta falë.

“Ngase ka qenë nervozë e momentit, jetojnë së bashku, nuk kanë probleme mes vete, dhe se e njëjta kujdeset për të” – thuhet në vendim.

Sipas aktakuzës, i njëjti si palë e dëmtuar nuk ka parashtruar kurrfarë kërkese për kompensim dëmi.