Dorëzohen dokumentet e para në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë

Dorëzohen dokumentet e para në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë

Në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, u dorëzuan dokumentet e para në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Në këtë ceremoni iu bë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me këtë institut dhe të dërgojnë aty të gjitha fotografitë, incizimet dhe materialet që mund të dëshmojnë krimet e luftës.

Aty morën pjesë Drejtori Ekzekutiv i Institutit, Atdhe Hetemi, Kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZHK), Ahmet Grajçevci dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti nga aty i ftoj të gjithë që të bashkohen në këtë nismë shumë të rëndësishme.

“Ky vit shënon 26 vjetorin e një prej kapitujve më të dhimbshëm të Kosovës. Sot festojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 16 vjetorin e Pavarësisë si dëshmi e rezistencës së popullit të Kosovës” – tha Kurti.

Ai deklaroi se po angazhohen që të bëjnë më të mirën për të dokumentuar atë që ka ndodhur.

“Kjo hapësirë do të shërbejë për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë” – tha kryeministri Kurti.

Sipas tij, prej tash e tutje, dokumentuesit, hulumtuesit e pavarur, shoqëria civile, mediat e gazetarët e kanë Institutin që i pret dëshmitë e materialet e mbledhura.

Ky Institut, siç tha Kurti, ndihmon në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më paqësore.

Kryetari i Institutit tha se kjo ceremoni nënkupton jo vetëm një hap të rëndësishëm për të dokumentuar krimet e luftës por edhe një zotim për të mos harruar të kaluarën.

“Inkurajojmë të gjithë që mbajnë dëshmi qe të bashkëpunojnë me ne. Është qendër ku të gjithë ne mund të japim kontributin tonë” – tha Hetemi.

Tutje ai shtoi se përmes kësaj binden edhe më skeptikët që shteti dhe stabiliteti i Kosovës është domosdoshmëri për paqe në Ballkan.

Në anën tjetër, Grajqevci tha se rrugëtimi i tyre për 25 vjet ka qenë shumë i vështirë në mbledhjen e dëshmive dhe në ruajtjen e materialeve, por se, tani e kanë një derë të hapur.

“Unë me gëzim të madh e kam prit dhe kam luftuar që një ditë të ketë një institucion për mbledhjen e dëshmive sepse shumë dëshmi na kanë humbur duke u bartur nga një vend në tjetrin” – u shpreh ai.

Madje, ai shtoi se zyra e tyre do t’i ofrojë jo vetë këtij Instituti por edhe Gjykatës Speciale të gjithë materialin që e ka.

Dokumentimin e krimeve të luftës ky Institut do ta bëjë nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, mjeko–ligjor dhe sociologjik dhe do të krijojë fondin arkivor si dhe përgatitjen e të dhënave statistikore.

Lidhur me këtë do të bëjë grumbullimin e të dhënave të sakta për humbjen e njerëzve, dëmet fizike, emocionale si dhe pronësore e kulturore.

Të dhënat e mbledhura nga ky institut do të jenë të qasshme për publikun, viktimat si dhe palët e interesuara.

Lidhur me të dhëna, instituti është i bazuar në parimin e konfidencialitetit, sipas të cilit identiteti dhe të dhënat personale të palëve ruhen dhe përpunohen në mënyrë që të garantojnë siguri.

Për më tepër, instituti do të identifikojë viktimat e krimit, përgjegjësit e krimit si dhe kohën, vendin dhe rrethanat në të cilat janë kryer krimet.

Instituti përmes fushatave hulumtuese në teren do të mbledhë audio, fotografi, video incizime si dhe do të intervistojë dëshmitarëve me qëllim të mbledhjes së dëshmive.

Kurti: Viktimat e luftës së fundit në Kosovë meritojnë drejtësi dhe rehabilitim

Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.