Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti: Viktimat e luftës së fundit në Kosovë meritojnë drejtësi dhe rehabilitim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se viktimat e luftës së fundit në Kosovë, meritojnë drejtësi dhe rehabilitim.

Gjatë fjalimit në tryezën e diskutimit lidhur me Institutin për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Kurti tha se qëllimi është, krijimi i kujtesës kolektive që do shërbejë edhe për gjeneratat pasardhëse.

“Qëllimi ynë është i përbashkët, krijimi i kujtesës kolektive e cila nuk do na shërbejë vetëm neve por edhe të gjitha gjeneratave që vijnë pas nesh. Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme, por mbase pjesa më e rëndësishme për t`u mbajtur në mend është që paqja kërkon drejtësi por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodh asnjëra e viktimat e luftës i meritojnë të dyja”- u shpreh ai.

Ai u shpreh se kanë një tërësi të punëve që i presin përpara, teksa shtoi se askush nuk duhet dhe nuk mund të pretendojë se lehtësisht mund të zgjidhen problemet që janë shkaktuar që 24 vite.

“Askush nuk duhet dhe nuk mund të pretendoj se lehtësisht do mund të zgjidhim krejt problemet që janë shkaktuar që 24 vite, do të jetë shumë e vështirë, njerëzit janë të lodhur, viktimat kanë humbur besimin në sistem gjeneratat po vdesin përditë dhe kështu po humbet kujtesa parësore e luftës. Ky është rrezik i madh që na kanoset, e të cilin nuk guxojmë ta lejojmë të ndodhë, duhet të sigurohemi të bëjmë më të mirën që mundemi të adresojmë atë që ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovës. Kemi më shumë se 13 mijë të vrarë, mijëra të dhunuar”- ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit theksoi se Kosova ka përjetuar dëme shkatërruese që asnjëherë nuk janë matur edhe sot 24 vite pas luftës.

“Kemi përjetuar dëme shkatërruese që asnjëherë nuk i kemi matur edhe sot 24 vjet pas luftës nuk kemi shifër që na tregon se cili është dëmi ekonomik që na ka shkaktuar lufta në vend. Situata është edhe më keq në raport me dëmin emocional e psikologjik të cilin nuk e kemi adresuar aspak këto vite”- vlerësoi ai.

“Instituti nuk u themelua pa strategji operacionale, është i themeluar me ligj dhe ka linjën e vet buxhetore, ka dhe do vazhdojë të ketë ekspertë të fushës do jetë në koordinim me institutet tjera në rajon dhe me ato ndërkombëtare”- tha ndër të tjera Kurti.

Më tej, Kurti tha se për herë të parë pas luftës, Instituti parasheh divizionin për dëmin material dhe jo material.

“Duhet përkrahja e të gjithëve nëse duam të ketë sukses. Jemi me fat që në mesin tonë kemi njohës të fushës që sjellin edhe kontakte ndërkombëtare që kanë njohuri në drejtësinë tranzicionale”- potencoi kryeminstri.

Kuvendi i Kosovës në korrik të këtij viti miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës. Ndërsa Qeveria në nëntor të këtij viti emëroi drejtor ekzekutiv të Institutit, Atdhe Hetemin.

Ky projektligj i përbërë prej gjithsej katërmbëdhjetë neneve është përpiluar me qëllim të themelimit të Institutit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë i cili do të jetë risi për shtetin.

Duke pasur parasysh se gjeneza e problemit të një situate të tillë mund të jenë ngecjet në fazën e hetimeve, projektligji në fjalë ka potencial që të japë një shtysë shumë të madhe ndaj hetimit të suksesshëm të krimeve të kryera gjatë luftës.

Dokumentimin e krimeve të luftës ky institut do ta bëjë nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, mjeko–ligjor dhe sociologjik dhe do të krijojë fondin arkivor si dhe përgatitjen e të dhënave statistikore.

Lidhur me këtë do të bëjë grumbullimin e të dhënave të sakta për humbjen e njerëzve, dëmet fizike, emocionale si dhe pronësore e kulturore.

Të dhënat e mbledhura nga ky institut do të jenë të qasshme për publikun, viktimat si dhe palët e interesuara.

Lidhur me të dhëna, instituti është i bazuar në parimin e konfidencialitetit, sipas të cilit identiteti dhe të dhënat personale të palëve ruhen dhe përpunohen në mënyrë që të garantojnë siguri.

Për më tepër, instituti do të identifikojë viktimat e krimit, përgjegjësit e krimit si dhe kohën, vendin dhe rrethanat në të cilat janë kryer krimet.

Instituti përmes fushatave hulumtuese në teren do të mbledhë audio, fotografi, video incizime si dhe do të intervistojë dëshmitarëve me qëllim të mbledhjes së dëshmive.

Drejtori ekzekutiv ka për detyrë që të propozojë planin dhe raportin vjetor të performancës së Institutit, menaxhimin e burimeve njerëzore, menaxhimin e buxhetit si dhe lidhjen e kontratave në emër të institutit.

Vlen të theksohet se ky institut me kryerjen e veprimtarisë së vet, do të bazohet në gjashtë parime të sistemit të drejtësisë.

Këto janë parimi i ligjshmërisë, i pavarësisë dhe paanshmërisë, i transparencës, i mbrojtjes së të dhënave, parimi i mosdiskriminimit si dhe parimi i konfidencialitetit.

Çfarë parasheh projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës?