Doli nga burgu, i riu nga Thumana vdes prej tërmetit

Kristian Preçi, ishte një djalë i ri i cili kishte dalë nga burgu vetëm pak ditë më parë.

Fatkeqësisht ai u nda nga jeta si pasojë e tërmetit të fuqishëm që tronditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Kristiani ishte banorë i Thumanës, zonës që u godit më shumë nga tërmeti, me tre pallate totalisht të shembur, nën rrënojat e të cilëve u gjetën viktima, ashtu sikundër pati edhe lajme të mira për të shpëtuar brenda atyre rrënoja. Por Kristiani nuk pati atë fat.

Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka dhënë avokati i tij, raporton Top Channel.

“Sot humbi jetën nga tërmeti Kristian Preçi banor i Thumanës, klienti im që fitoi pafajësinë pas 5 muajsh burgim të padrejtë. Ngushëllim familjarëve, qoftë i parajsës. Kristiani ishte një djalë i mrekullueshëm. Iku shpejt”, shkruan avokati.

Mëngjesin e sotëm Shqipëria është goditur nga disa tërmete, të cilat janë ndier edhe në Kosovë dhe më gjerë.

Si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë, raportohet se numri i viktimave ka shkuar në 9.

Liderë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar, përderisa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë nisur për në zonat e prekura nga tërmetet.