Ilustrimi: Kallxo.com

(DOKUMENT) Mijëra euro shpenzime të fushatës të papaguara nga partitë politike

Partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), në fushatën e fundit zgjedhore ka shpenzuar më shumë se 1 milion euro.

Sipas raportit financiar të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), partia e drejtuar nga Albin Kurti ka shpenzuar hiç më pak se 1 milion e 319 mijë e 708 euro e 31 centë. Nga to janë paguar 1 milion e 285 mijë 336 euro e 16 centë, ndërsa borxh i papaguar janë 34 mijë e 372 euro e 16 centë.

Më pak se partia e parë, fushata zgjedhore i ka kushtuar partisë së dytë në zgjedhjet e fundit, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Shpenzimet e fushatës zgjedhore për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) kapin vlerën prej 362 mijë e 920 euro e 21 centë, dhe sipas raportit të dorëzuar nga kjo parti deri në tani nga to janë paguar 306 mijë e 630 euro e 24 centë, ndërsa mbesin të papaguara 56 mijë e 290 euro.

Ndërsa shpenzimet e fushatës të Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK) kapin vlerën 751 mijë e 694 euro e 99 centë, të paguara nga kjo shumë figurojnë se janë 298 mijë e 45 euro e 12 centë, ndërsa si borxh janë deklaruar 453 mije e 649 euro e 87 centë.

Shpenzimet e fushatës zgjedhore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë 310 mijë e 774 euro e 46 centë. Të paguara sipas deklarimit janë 97 mijë e 518 euro e 16 centë, ndërsa të borxh janë 213 mijë e 256 euro e 30 cent.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi raportet e paaudituara financiare të partive politike të vitit 2021.

Legjislacioni në Kosovë obligon partitë politike që të mbajnë shënime të sakta për çdo shpenzim dhe të njëjtat t’i raportojnë pranë departamentit të veçantë në KQZ.

KQZ ka sqaruar se publikimi i këtyre raporteve është bërë pa u audituar.

“Duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, publikimi i tyre shoqërohet me tekstin sqarues: “

Këto raporte financiare janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit”” – thuhet në njoftim.

Pas përfundimit të procesit të auditimit nga auditorët e jashtëm, raportet e audituara do të publikohen në të njëjtën hapësirë në ueb faqen e KQZ-së.

Këtu mund t’i gjeni raportet financiare të partive politike të deklaruara në KQZ.