Dogana e Kosovës pjesë e takimit të Këshillit të Organizatës Botërore të Doganave

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu dhe Zana Batusha, Drejtoreshë për marrëdhënie ndërkombëtare në Doganën e Kosovës, kanë marr pjesë në takimin e rregullt tre ditor të Këshillit të Organizatës Botërore të Doganave (OBD), i cili u mbajt në Bruksel.

Dogana e Kosovës ka njoftuar se takimi ka filluar më datë 22 dhe ka përfunduar sot dhe si mbledhje e rregullt shërben si një forum i rëndësishëm për diskutimin e çështjeve të rëndësishme doganore në nivel global, formulim të politikave, vlerësim të progresit të OBD-së, vendimmarrje për të ardhmen e organizatës si dhe shërben si mundësi për njohje dhe rrjetëzim në mes të anëtarëve të OBD-së nga e gjithë bota.

“Gjatë punimeve sipas programit Këshilli ka zgjedhur edhe udhëheqësinë e re, konkretisht Sekretar i Përgjithshëm me mandat nga viti i ardhshëm është zgjedhur zt. Ian Saunders nga Dogana e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Kryesues i Këshillit me mandat një vjeçar është zgjedhur Edward Kieswetter nga Afrika e Jugut”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Tutje në njoftim thuhet se “Kosova ka qenë pjesëmarrëse aktive dhe kontribuuese në punën e OBD-së në të gjitha mundësitë e përfshirjes, duke filluar me pjesëmarrjen në operacionet e përbashkëta të zbatimit të ligjit, programet për ngritje të kapaciteteve dhe praktikave të punës, ndërkaq që kontributin më të theksuar e ka dhënë me angazhimin e ekspertëve tanë të akredituar në fushën e zbatimit të ligjit, të cilët vazhdojnë të ofrojnë ekspertizën e tyre në programet trajnuese të OBD-së në vende të ndryshme të botës. Për këtë Dogana e Kosovës në shumë raste është falënderuar nga OBD”.

Në njoftimin për media thuhet se Dogana e Kosovës ka qenë e nderuar me vizitën e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OBD-së Dr. Kunio Mikurya në fund të prillit. Dr. Mikurya gjatë adresimit para mediave pati shprehur vlerësim të lartë për zhvillimet dhe arritjet e Doganës së Kosovës dhe ka vënë në dukje angazhimin tonë për të implementuar praktikat bashkëkohore.

“Ky vlerësim na inkurajon të vazhdojmë punën dhe të përparojmë në përmirësimin e performancës së Doganës në përputhje me standardet ndërkombëtare. Bashkëpunimi jonë me Organizatën Botërore të Doganave është një pjesë e rëndësishme e kësaj përpjekjeje dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë të jemi aktorë konstruktivë në këtë fushë”, përfundon njoftimi i Doganës së Kosovës.