Ditari i Gazës

Ditari i Gazës, pjesa 17: ‘A të zbardhen flokët nga stresi, frika dhe trishtimi brenda një muaji?  

Ziadi, një palestinez 35-vjeçar, e rrëfen edhe një ditë tjetër në Gaza.

E diel, 5 nëntor 2023

Ora 5 e mëngjesit. Jackie, macja e gjakosur dhe e pavetëdijshme të cilën e gjeta dje, ia doli gjatë natës. Ne nuk flinim. E vendosëm në kutinë që morëm për Manaran. Mori frymë rëndë; e mbajtëm ngrohtë dhe motra ime i dha ujë. Nuk e kisha menduar asnjëherë se do të mbijetonte.

E futa Xhekin në çantën e maces dhe u nisa në orën 9:15 për të arritur në klinikën veterinare në orën 10:00. Kur mbërrita, para meje ishin disa njerëz me kafshët e tyre shtëpiake. Ankesa më e zakonshme është: “Macja ime nuk ka ngrënë asgjë për gati një javë dhe po bëhet agresive, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë”.

Mjeku shpjegon se evakuimi do të thotë se ata janë jashtë shtëpive të tyre komode. Gjithashtu, në vendet e evakuimit, qoftë shtëpi apo shkollë, janë të paktën 30 deri në 40 persona dhe të gjithë duan të “luajnë me macen”, ndaj një gjë e tillë i streson ato.

Mjeku kontrollon Xhekin dhe thotë se situata është kritike. Deri më tani nuk i ka hapur sytë dhe është në gjendje kome. Mjeku i jep tri injeksione dhe thotë se duhet t’i japim ujë dhe një suplement ushqimor të lëngshëm për fëmijë, duke përdorur një shiringë çdo dy deri në tri orë.

“A do t’ia dalë?”- e pyes unë.

“Gjithçka varet nga reagimi i saj në ditët në vijim”- thotë veterineri. “Meqë ra fjala, duhet ta sjellësh për të paktën dy ditë për pjesën tjetër të injeksioneve”.

Të paktën kemi pak shpresë. Dhe rezulton se Xheki është një ai, kështu që ne do ta quajmë Xhek që tani e tutje.

Ora 11:30. Teksa kthehem, takoj një djalë që e njoh dhe jam i tronditur nga pamja e tij.

“Flokët e mi, apo jo?”- thotë ai duke vënë re shikimin tim të hutuar.

“Më vjen keq, por…”

“E di – u bën gri! Brenda tri javësh”.

E pashë një muaj më parë, dhe kishte vetëm disa flokë gri. Por tani, shumica e flokëve të tij janë gri! Flas me një shoqe më vonë, dhe ajo thotë se e njëjta gjë ka ndodhur me vëllanë e saj. Stresi, frika dhe trishtimi ju thijnë flokët brenda një muaji? Nëse do të kisha qasje në internet të mirë, do ta kisha kërkuar në Google për këtë fenomen.

Një gjë për të cilën jam i sigurt është se kjo kohë ka shtuar me sukses rrudha në fytyrat tona – në rastin tim, linja nën sytë e mi dhe rrathë të errësirës. Për herë të parë më dalin venat e këmbëve sikurse të një plaku. Kjo përvojë ka marrë shumë vite të jetës sonë, vitet e kaluara dhe vitet që do të vijnë. Pyetja që bëj është: sa vite të tjera do të humbasim?

Ora 12:30. Jam i befasuar kur shoh hapur një dyqan bizhuterish. Kush do të blejë bizhuteri këto ditë? A është e sigurt të hapësh këtë dyqan me mijëra njerëz që kalojnë? Dëgjoj dy djem që flasin për këtë dhe ata thonë diçka: pronari nuk po na tregon asnjë bizhuteri. Ai nuk po shet ar, po blen ar.

Njerëzit nuk kanë para dhe e vetmja mënyrë për të mbijetuar për disa prej tyre është t’i shesin bizhuteritë e tyre. Çfarë kohe më të mirë se kjo do të ketë për t’i blerë ato bizhuteri me çmime të lira? Ndihem i tmerruar për të gjithë situatën, megjithatë një pjesë e imja ndihet mirë që disa njerëz kanë një mundësi për të fituar para, edhe nëse kjo do të thotë të humbasin disa nga bizhuteritë e tyre.

Marr një telefonatë nga shoku im për të më kontrolluar. Më tregon historinë e fqinjit të tij i cili vendosi të qëndronte me babanë e tij të moshuar në apartamentin e tyre në qytetin e Gazës, ndërsa familja e tij shkonte në jug. “Ata mezi kanë kontakte me të. Shëndeti i babait të tij po përkeqësohet. Tmerri me të cilin po përballen është i pabesueshëm. Nuk kanë ushqim apo ujë të mjaftueshëm. Familja e tij këtu po vdes çdo sekondë larg tij”.

Ora 5 pasdite. Shoqja ime fillon të diskutojë me mua situatën pasi makthi ka përfunduar. Është e shqetësuar për të gjithë njerëzit që do të kthehen në zonat e tyre, por që do të mbesin të pastrehë; ose për ata që do të duhet të shpenzojnë mijëra dollarë për t’i rregulluar shtëpitë e tyre për t’i përmbushur standardet minimale të jetesës. Ajo flet për shqetësimin emocional me të cilin do të duhet të përballet çdo banor i Gazës.

Mirëpo ajo po mendon për pasojat, që do të thotë se mendon se krejt kjo situatë to të përfundojë, madje së shpejti. Nuk është se më mungon ky optimizëm, por nga ajo që shoh, dëgjoj dhe mësoj, do të marrë shumë kohë.

Ora 9 në mbrëmje. E humbim lidhjen e internetit përsëri. Sidoqoftë. Çfarë tjetër kemi për të humbur? Kemi humbur dinjitetin, jetën, kujtimet… lidhja e internetit nuk është më diçka e madhe.

Më kujtohet një poezi që kam lexuar një herë nga Sabrina Benaim në librin e saj ‘Depresioni dhe truqet e tjera magjike’. Ajo thotë:

E mbajta për dore  trishtimin tim / I këndova në dush e i dhashë drekë / Dhe e vura në shtrat herët.

A është kjo ajo çfarë shoku im dhe njerëzit e tjerë po mendojnë? Ta vendosin trishtimin e tyre herët në shtrat në mënyrë që të mund të vjedhin pak kohë për të kaluar me shpresë? Nëse e lë trishtimin në shtrat herët, po frika atëherën? Po pikëllimi? Po rraskapitja?

Për mua, jam ende në fazën e parë, ose ndoshta në fazën zero me trishtimin tim. Jam ende duke u përpjekur të jem ballë për ballë me të dhe t’i them “atij” që e shoh. Pikërisht ashtu. Do të jetë një udhëtim shumë i gjatë vetëm për të kuptuar sasinë e trishtimit që kam brenda.

Nëse dalim nga kjo situatë, dua të jem i trishtuar për një kohë të gjatë, të mbaj trishtimin tim në duar, ta përqafoj fort dhe pastaj ndoshta të përpiqem të vazhdoj me jetën time, ose me atë që ka mbetur prej saj./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala