Barrikadat në Rudarë, Foto: KALLXO.com/ 14.12.2022

Dita e katërt e barrikadave në veri, situata raportohet të jetë e qetë (VIDEO)

Po bëhen katër ditë që kur grupe të qytetarëve serbë kanë bllokuar rrugët kryesore në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok dhe në këtë mënyrë kanë pamundësuar në tërësi qarkullimin me vetura.

Qytetarët të cilët duhet të dalin jashtë barrikadave duhet të përdorin rrugë alternative duke shfrytëzuar edhe oborret e komshinjve të tyre.

Disa të tjerë, po kalojnë barrikadat në këmbë e më pas po vazhdojnë drejtë Mitrovicës së Veriut.

KALLXO.com edhe sot po qëndron në Mitrovicë të Veriut dhe nga atje ju sjell zhvillimet e fundit.

Në Zveçan, barrikada e formuar nga rreth 10 makineri të rënda e autobusë është vendosur në fshatin Rudarë.

kfor rudare
Ekipi i KFOR në afërsi të barrikadës në Rudarë, Foto: KALLXO.com/ 14.12.2022

Kjo rrugë magjistrale lidh Komunën e Mitrovicës së Veriut me Zveçanin, Leposaviqin e më pas të dërgon drejt pikës kufitare në Jarinjë.

Kjo pikë ka katër ditë që është jashtë funksionit për shkak të bllokadave që u vendosën aty. Ngjashëm situata është edhe në pjesën tjetër atë të Zubin Potokut.

Në atë pjesë, KALLXO.com raportoi dje se misionet ndërkombëtare po përdorin rrugën alternative për të monitoruar gjendjen e krijuar në javën e fundit.

Barrikadat në Rudarë, Foto: KALLXO.com/ 14.12.2022

Aktualisht situata në Mitrovicë të Veriut është e qetë ndërsa nuk është raportuar për ndonjë incident.

Ekipet policore të rendit janë në detyrën e tyre duke ofruar siguri në disa prej lokacioneve ku pati incidente ditëve që kaluan.

Në Lagjen e Boshnjakëve, pati hedhje të mjeteve shpërthyese e sulm ndaj gazetarëve ndërsa në vendin e njohur si Tre Rrokaqiejt, zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor u demolua më 6 dhjetor pasi ndaj po të njëjtit objekt u hodhën mjete shpërthyese si shok – bombë e granatë dore.

Ekipet e EULEX-it e KFOR-it tashmë kanë zënë vend në dhjetëra lokacione atje. Ata po monitorojnë nga afër çdo zhvillim.

Barrikadat janë vendosur pas alarmit të lëshuar ditën e shtunë kur edhe u arrestua ish-zyrtari policor Dejan Pantiq nën dyshimet se organizoi sulmin ndaj zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor që gjendet në Mitrovicën e Veriut.

Policia e Kosovës sot ka njoftuar që situata është e qetë ndërsa nuk është shënuar ndonjë incident.

Tutje të njëjtit kanë thënë se po vazhdojnë me detyrat e përcaktuara për të ofruar rend dhe siguri.

Në katër komunat me shumicë serbe situata nisi të tensionohej një javë më parë, kur fillimisht zyrtarët e lartë të përzgjedhur nga KQZ nuk u lejuan që të futeshin brenda zyrave komunale për të nisur procesin e zgjedhjeve që priteshin të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor.

Zyrat e KKZ-së u sulmuan me mjete shpërthyese ndërsa zyrtarët e lartë u tërhoqën dhe nuk vazhduan tutje.

Ditë më pas Policia e Kosovës vendosi që të siguronte Lagjen e Boshnjakëve për shkak të incidenteve që u raportuan aty.

Dërgoi dhjetëra zyrtarë policorë për t’u vendosur në rrugë të ndryshme që përshkojnë Lagjen e Boshnjakëve deri te shkolla teknike në Mitrovicën e Veriut.

Përgjatë këtyre ditëve pati të raportuara edhe sulme, shkëmbime me armë zjarri mes policisë dhe grupeve kriminale në veri të vendit.

Një zyrtar policor është plagosur pasi persona të maskuar gjuajtën me armë zjarri në drejtim të tyre.