Deutsche Welle: Çfarë fshihet pas tensioneve mes Kosovës dhe serbëve

Tensionet e fundit midis serbëve etnikë dhe autoriteteve kosovare kanë arritur një nivel të rrezikshëm, me Serbinë që kërcënon të dërgojë trupa në territorin e Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar është në kërkim të një zgjidhjeje.

Tensionet mes pakicës etnike serbe dhe shumicës etnike shqiptare të Kosovës janë sërish në ballinat e lajmeve, me epiqendrën e konfliktit në veri të Kosovës.

Cilat janë zhvillimet e fundit?

Të hënën, ushtria serbe vendosi për një kohë të shkurtër në një vend vetëm dy kilometra nga kufiri me Kosovën. Pas bërjes së disa fotografive të inskenuara dhe sigurimit të pamjeve dramatike për mediat pro-qeveritare në kryeqytetin serb, Beograd, artileria u kthye në kazermë.

Kjo lëvizje ka provokuar tensione të reja kufitare, pasi dëshmitarët okularë dhe paqeruajtësit e NATO-s, KFOR-i, raportuan të shtëna pranë një barrikade të ngritur nga serbët e Kosovës në javët e fundit. Deri më tani, mbetet e paqartë se kush qëndron parapa të shtënave dhe nëse kanë qenë “vetëm” të shtëna paralajmëruese apo edhe shkëmbim zjarri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje KFOR-it që t’i largojë barrikadat që janë ngritur nga serbët. “Nëse KFOR-i nuk është në gjendje t’i heqë barrikadat, ose nuk e bën këtë për arsye të panjohura për mua, atëherë ne duhet ta bëjmë atë”, ka deklaruar Kurti të martën, në një intervistë për uebsajtin boshnjak istraga.ba.

Pse veriu i Kosovës është një rajon kaq i nxehtë?

Kosova veriore është e ndarë në katër komuna, me një popullsi që është pothuajse ekskluzivisht etnike serbe që mban lidhje të ngushta me Serbinë. Shumica nuk e njohin Kosovën si shtet. Megjithatë, komunat serbe kanë 10 ulëse të garantuara në parlamentin e Kosovës dhe përfaqësohen nga dy ministra në qeverinë kosovare.

Që nga fundi i luftës së Kosovës në vitin 1999, qeveria kosovare nuk ka pasur kurrë kontroll të plotë në veri të vendit – kjo do të thotë se zona në veri të lumit Ibër, e cila ka një popullsi prej rreth 60,000 banorësh, është në fakt një zonë pa ligj dhe, kësisoji, perfekte për kriminelët dhe kontrabandistët.

Pa ndonjë përjashtim, politikanët kryesorë serbë në këtë zonë janë besnikë ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Serbët e  Kosovës nuk i besojnë qeverisë në Prishtinë, gjë që mbështetet nga fakti se njësitë speciale të policisë dërgohen rregullisht në zonën veriore, gjoja për ta luftuar krimin.

Pse jane vendosur barrikadat?

Bllokadat në rrugë dhe barrikadat e vendosura nga minoriteti serb janë një mjet i provuar dhe i testuar në mosmarrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të organizuara në grupe bisedash në internet, këto barriera mund ta bllokojnë rajonin e atjeshëm brenda pak minutash, duke i bllokuar rrugët dhe pikat kufitare.

Historia e protestës aktuale është arrestimi i ish-policëve të Kosovës me kombësi serbe. Prokuroria e Kosovës e ka akuzuar njërin nga personat se ka kryer një sulm me bombë në objektet e komisionit zgjedhor në Mitrovicë, në veriun e dominuar nga serbët. Përveç lirimit të policëve, serbët protestues kërkojnë që njësitet speciale të policisë së Kosovës të tërhiqen nga pjesa veriore e vendit.

Qëllimi i pakicës serbe ishte t’i parandalonte zgjedhjet lokale që u bën të nevojshme në veri pasi të gjithë serbët etnikë dhanë dorëheqjen nga institucionet shtetërore të Kosovës, si në nivel lokal ashtu edhe në atë kombëtar, në fillim të nëntorit. Të katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës dhanë dorëheqje, disa qindra policë serbë u larguan nga forca policore e Kosovës dhe gjyqtarët serbë pushuan së shkuari në punë.

Ky bojkot ishte një reagim ndaj planit të Kurtit për të futur rregullore të reja për targat e automjeteve, me qëllim ndalimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe dhe ndërrimin e tyre me targa të Kosovës. Sa i përket Kurtit, ka qenë çështje parimore sepse Serbia nuk i pranon targat e Kosovës. Por për presidentin serb Vuçiq dhe serbët e Kosovës, ky vendim ishte një përgatitje për “spastrimin etnik”. 

Vendosja e targave të reja tani për tani është lënë pezull, ashtu sikurse edhe zgjedhjet lokale, si pasojë e presionit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Perëndimi i ka bërë gjithashtu thirrje Serbisë që të ndihmojë në zbutjen e tensioneve, ndonëse, për momentin, një gjë e tillë duket e pamundshme.

A mund t’i dërgojë Serbia trupat e saja në Kosovë?

Megjithëse nuk ka gjasa që Serbia t’i vendosë, Vuçiq i ka vënë trupat në “gatishmëri të shtuar” disa herë në vitet e fundit. Në mesin e dhjetorit, qeveria në Beograd i kërkoi zyrtarisht KFOR-it që të lejojë policinë dhe ushtarët serbë të vendosen në territorin e Kosovës.

Kjo kërkesë është e mundur sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në vitin 1999 pas një dorëzimi de fakto nga Serbia. Rezoluta lejon që disa qindra oficerë të zbatimit të ligjit të dërgohen në Kosovë – por vetëm nëse misioni paqeruajtës ndërkombëtar i KFOR-it pajtohet paraprakisht.

Edhe Vuçiq e ka pranuar hapur se propozimi i tij ndoshta do të refuzohet. Sipas analistëve, Vuçiq  po merret me propagandë. Kritikët e tij argumentojnë se ai dëshiron të dallohet si një kampion i “gjithçka që është serbe”. Vëzhguesit thonë se edhe nëse ai do ta shqyrtonte seriozisht opsionin ushtarak, do të ishte e kotë sepse do të rezultonte në një konfrontim të drejtpërdrejtë me policinë ndërkombëtare (EULEX) dhe njësitë ushtarake të stacionuara në Kosovë (KFOR).

A po shihet në horizont ndonjë zgjidhje për konfliktin?

Edhe me më shumë presion nga Perëndimi, ka pak shpresë për një zgjidhje së shpejti. Pozicionimet e të dyja palëve  janë të fortngulitura: Beogradi “asnjëherë” nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, për të cilën thotë se shkel të drejtën ndërkombëtare, ndërsa Prishtina ka thënë se bisedimet me ish “pushtuesit serbë” do të kishin kuptim vetëm nëse do të rezultonin me  njohje.

Diç më pak se 100 shtete, duke përfshirë 22 shtete anëtare të BE-së, e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Kosova ka nevojë për miratimin serb për t’u bërë anëtare e OKB-së – sepse Rusia dhe Kina, të dyja partnerë me Serbinë, e  gëzojnë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit.

Franca dhe Gjermania kanë paraqitur një propozim për të arritur një marrëveshje për statusin e Kosovës, por deri më tani detajet e atij propozimi kanë qenë të pakta. Sipas burimeve të brendshme, propozimi do të bazohet në Traktatin Themelor të vitit 1972 ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane – Serbia nuk do të duhej ta njihte Kosovën në mënyrë eksplicite, por do të duhej të pranonte integritetin dhe sovranitetin e saj territorial dhe jo në mënyrë aktive ta bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Karrota për të dyja palët do të ishte perspektiva e anëtarësimit përfundimisht në BE. Serbia ka aplikuar zyrtarisht për t’u bashkuar me bllokun e BE-së, megjithatë negociatat kanë qenë të ngadalta. Kosova nuk është ende kandidate, por planifikon të aplikojë për anëtarësim para fundit të vitit.

 Cili është ndikimi i luftës në Ukrainë?

Që nga shkurti, ka pasur shqetësime se Rusia mund t’i përdorë lidhjet e saj të ngushta me Serbinë për ta hapur një “front të dytë” në Ballkan. Kryeministri i Kosovës, Kurti, ka sugjeruar se Serbia, ashtu sikurse Rusia, ëndërron ta rikthejë një “botë serbe” në rajon. Nga ana e tij, Vuçiq ka thënë se Kurti po sillet si një “Zelensky i vogël”.

Për t’ia shtuar edhe më shumë kokëqarjen BE-së, Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Sipas sondazheve, mbi 80% e serbëve refuzojnë t’i imponohen këto sanksione  “shtetit vëlla”. Serbia nuk është e varur vetëm nga gazi rus, por edhe nga mbështetja ruse në çështjen e Kosovës.

Megjithatë, pjesa më e madhe e ekonomisë serbe është e orientuar drejt Perëndimit. Kompanitë gjermane në Serbi ofrojnë rreth 75,000 vende pune. Politikanët perëndimorë, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz, duken të vendosur për ta frenuar ndikimin rus në Ballkan.

Kurti ka thënë se një “marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizimit” mes Serbisë dhe Kosovës pritet të arrihet në pranverë. Mirëpo, ashtu siç qëndrojnë gjërat për momentin, diçka e tillë tingëllon tepër optimiste./Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala