Vendi i ngjarjes ku u vra nëna nga djali i saj, Foto: KALLXO.com

Detaje si u gjet nëna që dyshohet se u vra nga djali i saj

Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja tragjike që ndodhi në orët e pasdites në Pejë, ku djali dyshohet se i preu kokën nënës së tij me mjet te mprehtë thikë.

KALLXO.com mëson se veprime të rënda ka ndërmarrë djali pas dyshimit të kryerjes së veprës penale.

Siç mëson KALLXO.com pasi i kishte prerë kokën, i dyshuari trupin e viktimës e kishte lënë në një dhomë e kokën në një pjesë tjetër të shtëpisë.

I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në ndalim.

Deri më tani nuk ka detaje se çka shtyu djalin ta kryente aktin makabër ndaj nënës së tij.

Në anën tjetër, prokurorja e rastit, Sahide Gashi ka deklaruar se kanë siguruar dëshmitarë okularë të ngjarjes.

Gashi tha se kanë provuar të marrin në pyetje të dyshuarin, mirëpo i njëjti sipas prokurores, nuk ka qenë në gjendje të flasë.

Ajo shtoi se nesër në prezencën e psikologut dhe avokatit mbrojtës të provohet të merret deklarata e të dyshuarit.

“Kemi dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitin e forenzikës ku janë izoluar të gjitha gjurmët, janë mbledhur të gjitha provat kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës, gjithashtu kemi siguruar autorë okularë të ngjarjes. Kemi provuar që të dyshuarin të marrim në pyetje, mirëpo i njëjti  nuk ka qenë në gjendje, në prani të mbrojtësit kështu që kemi urdhëruar që nesër në prezencën e psikologut dhe avokatit mbrojtës të provohet të merret deklarata e tij”- ka njoftuar prokurorja.

Ndërkaq, komandanti i stacionit policor, Ndue Nikolla nuk ka dhënë detaje se si ka ndodhur vrasja pasi siç tha ai “për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe meqë ka të bëjë me rast brenda familjes, këto janë informacionet që mund t’i japim”.

Rasti raportohet të ketë ndodhur sot rreth orës 16:00.