Detaje nga vrasja në Skenderaj

Një person, 39-vjeçar është vrarë dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur pas mesnatës së mbrëmshme në një kafiteri të “Muzikës Live”, në fshatin Runik të Skenderajt.

KALLXO.com ka mësuar viktima është N. L. ndërsa të plagosur janë personat me inicialet M. R., F. J. dhe Q. J.

Sipas Policisë nga hetimet e para, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor”, njofton Policia.

“Bazuar në hetimet  fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, bën të ditur Policia.

Policia bën të ditur se hetuesit e Sektorit Rajonal, janë duke punuar intensivisht për  identifikimin  dhe arrestimin e kryesit/ve  të veprës  si dhe zbardhjen e  kësaj vepre penale.

Vetëm gjatë javës së fundit, në Kosovë ndodhën dy vrasje me armë zjarri në dy qytete të ndryshme brenda kafiterive.

Në Prishtinë e në Klinë në kafiteri që gjenden në qendër të këtyre dy qyteteve u vranë dy persona.

Për vrasjen në Klinë që ndodhi më 7 gusht 2023, i dyshuari është ende në arrati.

Më 4 gusht 2023 në Prishtinë ndodhi një plagosje tjetër ndaj viktimës që vdiq më pas, e me dhjetëra persona të tjerë mbetën të lënduar.

Shënonte ora 23:17 kur të premten e kaluar në lokalin “Bon Vivant” në qendër të Prishtinës u dëgjuan të shtëna me armë zjarri, nga të cilat u lënduan katër të dyshuar burra, e si pasojë e thyerjeve të gotave e shisheve të qelqit lëndime pësuan 17 persona të tjerë.

Skenderaj: Vrasje si në filma, maskat vrasin në kafiteri