Detaje nga takimi Konjufca - Gjukanoviq

Aktualiteti politik, zhvillimet në rajon, agresioni rus si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërshtetëror kanë qenë disa nga temat e diskutuar mes kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Sipas komunikatës për media të Kuvendit, Konjufca e ka falënderuar Gjukanoviqin për ndihmën që vendi i tij ia ka dhënë Kosovës.

“Kryetari Konjufca shprehu mirënjohje për mbështetjen e presidentit Gjukanoviq dhe Malit të Zi ndaj Kosovës, derisa theksoi se forcimi i mëtejmë i raporteve të ndërsjella fqinjësore është një kontribut shtesë për stabilitetin në Ballkan dhe perspektivën e përbashkët euroatlantike”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, sipas komunikatës presidenti malazez ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën.

“Me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë, presidenti Gjukanoviq e falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe konfirmoi mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Gjukanoviq poashtu ka shprehur domosdoshmërinë e integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Me ftesën e presidentes Vjosa Osmani, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë.

Ai gjatë ditës pritet të zhvilloj takim edhe me përfaqësues të partive politike në vend.

 

Osmani në takim me Gjukanoviqin, kërkon mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësim në Këshillin e Evropës