Detaje nga sulmi që i ndodhi policit Ekrem Neziri

(Fotot e publikuara nga ministri Sveçla mund të jenë të papërshtatshme për persona të ndjeshëm)

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përpos që i ka bërë publike fotografit e policit të Kosovës, Ekrem Neziri, i cili është plagosur me armë zjarri nga grupe kriminale në veri të vendit, ai sot në konferencë ka shpjeguar edhe se si ka ndodhur sulmi ndaj tij.

Ekrem Neziri është sulmuar më datën 8 dhjetor 2022 në fshatin Serbovc, në mes Zveçanit dhe Leposaviqit.

Sipas Ministrit Sveçla, Neziri është plagosur me armë zjarri, saktë me kallashnikovë dhe se ai është nuk është lënduar në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në veriun e Mitrovicës.

Kjo deklaratë e ministrit erdhi për shkak të demantitmit të deklaratave që presidenti i Serbisë, Alekdandar Vuçiq i ka bërë lidhur me këtë ngjarje.

“Vuçiq spekuloi fillimisht se zyrtari policor Ekrem Neziri është lënduar në sulmin në zyrat e KKZ-së dhe pastaj vazhdon fjalia se ‘çfarë ai kërkon në Zveçan’ në të njëjtën fjali janë dy gënjeshtra” – shprehet Sveçla.

Ai tutje thotë se sulmet në zyrën e KKZ-së kanë ndodhur më 6 dhjetor, ndërsa Ekrem Neziri ëhtë plagosur më 8 dhjetor.

“Ekrem Neziri është plagosur më 8 dhjetor me kallashnikov në një fshatë në mes Leposaviqit dhe Zveçanit dhe kjo dëshmohet nga të gjitha format e mundshme” – tregoi i pari i MPB-së.

Ai tutje tha se kjo dëshmohet nga pamjet nga vendi i ngjarjes, prezenca e KFOR-it që kanë arritur në vendngjarje brenda disa minutave si dëshmitarë si dhe raporti mjekësor.

Në anën tjetër, në mbrëmjen e djeshme Sveçla për këtë çështje iu është kundërpërgjigjur presidentit të Serbisë edhe me një reagim në Facebook.

“Aleksandër Vuçiq, ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, në mungesë të çdo preteksti e arsyetimi për veprimet kriminale të grupeve që dirigjon, i është kthyer rolit kryesor të mëhershëm, atij të propaganduesit” – ka thënë Sveçla.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë dhe do të të qëndrojnë, për të gjithë qytetarët pa dallim e për shkatërrimin e të gjitha grupeve kriminale që, sipas ministrit, dirigjon propaganduesi Vuçiq dhe jo vetëm.

“Sulmet ndaj zyrave të KKZ-së kanë ndodhur më datë 6 dhjetor ndërsa sulmi me armë zjarri ndaj zyrtarit policor Ekrem Neziri ka ndodhur më datë 8 dhjetor në fshatin Serbovc, mes Zveçanit dhe Leposaviqit. Për këtë ka edhe pamje (fotot bashkëngjitur), edhe dëshmitarë nga KFOR që kanë shkuar në vendin e ngjarjes si dhe ka edhe raport mjekësor që e dëshmon këtë” – ka thënë i pari i MPB-së.

Ai tutje shtoi se këto të pavërteta dhe shumë të tjera janë përpjekje të dështuara të Vuçiq, që kanë për qëllim të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale.

“Policia e Kosovës asnjëherë të vetme nuk ka terrorizuar apo sulmuar asnjë qytetar, aq më pak për shkak të përkatësisë etnike” – shtoi Sveçla duke treguar se e vërteta është se grupet kriminale të dirigjuara nga Vuçiq kanë shtënë për t’i eliminuar zyrtarët tanë policor si dhe kanë sulmuar brutalisht e terrorizuar qytetarët tanë.

Ditëve të fundit situata është tensionuar në pjesën veriore të Kosovës. Fillimisht serbët lokal dyshohet të kenë sulmuar zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor pas fillimit të aktiviteteve për mbajtjen e zgjedhjeve që kanë qenë të planifikuara të mbahen më 18 dhjetor, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Në zonën veriore të Kosovës, vazhdimisht gjatë kësaj jave ka pasur shok-bomba që janë gjuajtur në vende të ndryshme, e madje edhe ka pasur sulm ndaj njësiteve të Policisë e edhe të gazetarëve.

Informatat nga terreni bëjnë me dije se policët e Kosovës janë të vendosur në pikat e tyre dhe janë duke monitoruar situatën, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme njoftoi se në pjesën veriore deri më tani janë vendosur gjashtë barrikada.

Për shkak të vendosjes së këtyre barrikadave, ministri njoftoi se janë mbyllur edhe dy pikat e kalimit kufitar, ajo në Jarinjë edhe në Bërnjak.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.

Sveçla për sulmet ndaj zyrtareve policor tha se u bënë nga grupet kriminale të organizuara.

Ekipi i KALLXO.com vazhdimisht ka qëndruar në këtë zonë dhe ka raportuar për situatën e krijuar atje.

Ministri Sveçla i përgjigjet Vuçiqit, publikon fotot e policit të plagosur