Foto: Mirsim Beqiri/Facebook

Detaje nga aksidenti mes trenit dhe veturës në Fushë-Kosovë

Një aksident ka ndodhur mes një treni të mallrave dhe një veture në fshatin Bardh të Fushë-Kosovës.

Kryesuesi i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hekurudhore (KHAIA), institucion që është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Mirsim Beqiri, ka thënë për KALLXO.com se në aksident janë dy të lënduar, për të cilët ka thënë se janë jashtë rrezikut për jetë.

Beqiri ka treguar se njëri nga të lënduarit është një 17-vjeçar.

“Rreth orës 20:40 kemi pranu një informacion për këtë aksident, janë aktivizuar ekipet kujdestare. Kemi shkuar në vendin e ngjarjes, kemi parë aty një tren të mallrave me gjatësi të madhe mbi 300 metra të ngarkuar” – ka thënë Beqiri.

Tutje ai ka treguar se vetura që është përfshirë është e tipit Golf dhe se kur është goditur nga treni është shtyrë deri në 30 metra.

“Treni ka qenë me shpejtësi të vogël, e ka goditur veturën dhe e ka shtyrë deri në 30 metra” – tha Beqiri.

Madje, Beqiri shtoi se ekipi i KHAIA ka vëzhguar edhe terrenin, më saktë udhëkryqin, për çka ka thënë se kanë parë që ka mungesë të sinjalistikës.

“Ne vëzhguam edhe udhëkryqin, aty mungojnë shumë sinjalistika qoftë horizontal dhe vertikal” – u shpreh Beqiri.

Tutje ai tha se KHAIA nesër do të fillojë hetimet.