Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për krime lufte, Çaslav Joliq, Foto: KALLXO.com

Dështon seanca për krime lufte kundër Çaslav Joliq

Çaslav Joliq u ul sot në bankën e të akuzuarve për t`u përballur me akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale për krime lufte ndaj popullatës civile në periudhën 1998 – 1999.

Joliq po akuzohet për trajtim ç’njerëzor dhe tortura në cilësinë e pjesëtarit të policisë ndaj tri viktimave shqiptare dhe atë në prezencë të dy gazetarëve ndërkombëtarë dhe një përkthyese shqiptare.

Në seancën e sotme ishte e paraparë të bëhej dëgjimi i dy dëshmitarëve, por që asnjëri prej tyre nuk u paraqitën para gjykatës.

Nexhmedin Curraj filloi dëshminë në seancën e fundit e pritej ta vazhdonte në seancën e sotme, por sipas prokurorit Ilir Morina, i njëjti nuk prezantoi për shkaqe shëndetësore.

Kurse dëshmitari i dytë e kishte refuzuar ftesën e gjykatës për t`u paraqitur.

Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues nga DepartametIi Special i kryesuar nga Musa Konxheli, me anëtarët Mentor Bajraktari dhe Valbona Musliu Selimiaj.

Seanca e radhës pritet të mbahet nesër më datë 19 shtator.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, në vitin 1998, në lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurakoc, ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Z. M. po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë, njëri anglez e tjetri belg, së bashku me një përkthyese shqiptare.

Sipas dosjes së Prokurorisë me të arritur tek vendi i ngjarjes nga shtëpia e Rosa Pejoçinoviq dalin pesë persona të veshur me uniformë të policisë serbe, Rdaule (Dule) Pejoçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejoçinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i pa identifikuar.

Në dosje theksohet se të njëjtit akuzojnë të dëmtuarin Z. M. se pse i kishte sjellë gazetarët në vendin e ngjarjes. Pas këtyre akuzave të lartcekurit e sulmojnë fizikisht dhe dy prej policëve e kapin për krahu dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grushte dhe shqelma për një periudhë prej 20 minutave deri sa në një moment personi me nofkën (Dule) e kishte goditur me boks në kokë të dëmtuarin më ç’rast Z. M. kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sipas dosjes së prokurorisë, më 15 mars të vitit 1998, derisa i dëmtuari tjetër N. F. po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga disa persona, në lokal kishin shkuar 5 policë serbë dhe duke e kapur për qafe e kishin tërhequr zvarrë jashtë lokalit, pastaj të gjithë fillojnë ta sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas aktakuzës, polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur me tytë të automatikut disa herë në kokë duke ia mbuluar tërë trupin me gjak, dhe duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion të policisë në Gurakoc. Tutje në dosje thuhet se duke e dërguar në stacion të dëmtuarin e njoftojnë se do ta ekzekutojnë. Ndërsa më datën 28 mars të po të njëjtit vit të dëmtuarin e kishin detyruar që ta lëshojë shtëpinë si çdo banor tjetër i fshatit.