Dështon raportimi në Komisioni për Siguri, Bekë Berisha përplaset me Sveçlën dhe deputetet e VV-së

Kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha ka refuzuar që raportimi në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes të bëhet i përbashkët duke qenë prezent ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti. Këtë takim, Berisha ka thënë ta ketë ftuar për të diskutuar për situatën në Veri të vendit.

Ai ka thënë se ka thirrur mbledhjen që raportimi të bëhet ndaras, e jo i përbashkët.

Për këtë, ka dështuar raportimi i Sveçlës dhe Mehamertit. Kryetari i këtij komisioni ka ironizuar me mbiemrin e ministrit të Punëve të Brendshme derisa ka arsyetuar mbledhjen e komisionit për raportimin e Xhelal Sveçlës dhe drejtorit të Policisë, Mehmeti.

“z. Sfeklla, mos më shitni mend mu këtu. Hajde ecë prej këtu”, thotë Bekë Berisha.

Derisa, ia ka vazhduar diskutimin me anëtarët e komisionit nga Vetëvendosje, Enver Dugolli dhe Shqipe Selimi.

“Ti je pjesë e ekipes time, ne e kemi thirr në raportim ndaras ministrin prej drejtorit të Policisë. Ju jeni mësu këtu, i keni bë do vota, jeni mësu me e shpëtu këtë njeri i cili ka bë gabime. Unë e kam thirrë këtë takim ndaras ministrin prej drejtorit”, ka thënë Bekë Berisha.

Për këtë ka pasur një përgjigje anëtari i komisionit, Enver Dugolli.

“Po e keqkupton dhe po e keqpërdorë pozicionin e kryetarit të komisionit, kjo nuk është në rregull sepse është e njëjta temë. Silluni si në komision”, ka thënë Dugolli.

Në fund, anëtarët e komisionit nga Vetëvendosje kanë lëshuar mbledhjen.