Arben Gashi, LDK

Dështon kryesia e Kuvendit - Përplasje mes Arben Gashit dhe shefit të kabinetit të Konjufcës

Mbledhja e sotme e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, nuk është mbajtur, pasi ka pasur zënka mes shefit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi dhe shefit të kabinetit të kryetari të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.

Sipas një prononcimi për media, kryetari Konjufca tha se mbledhja nuk do të mbahet shkaku i “kërcënimeve të shefit të LDK-së, Arben Gashit drejtuar stafit tim”.

Sipas Konjufcës kjo gjuhë është e pa pranueshme dhe nuk duhet ti pranojnë.

“Shprehjet që janë përdorur janë të papranueshme. Këto sjelle nuk duhet t’i pranojmë”, tha Konjufca.

“Patëm sulme e sharje me shprehje që nuk mund t’i përmendi”, tha ai.

Ndërsa, Gashi shtoi se mbledhja ka dështuar shkaku i shefit të kabinetit të kryetarit të Kuvendit.

Gashi tha se kanë kërkuar që ai mos të jetë prezent dhe kryetari nuk kishte pranuar.

“Shefi i kabinetit përveç se ka thënë të pa vërteta, ka përdorur të vërteta të pjesshme duke tentuar të denigroj deputetë të caktuar të Kuvendit të Republikës. Ne si deputetë të Kuvendit mbajmë përgjegjësi për çdo veprim dhe mos veprim tonin por asnjëherë nuk mundet që përfaqësuesi i një organi kolegjial në mënyrë të pjesshme e të një anshme tendencioze të shtrembëroj faktet”, tha Gashi.

Gashi tha se nuk ka tentuar ta sulmoj shefin e kabinetit duke thënë se ishte në distancë të largët prej tij.

“As se kam prek me dorë dhe kam pas distancë relativisht të largët me të. Kryetari duhet të kryej detyrat e tij, jo të aktivizoj shefin e kabinetit të vetë për të keqpërdor informacione të pasakta në dëm të deputetëve”, shtoi Gashi.

Gashi tha se ky reagim vjen nga një postim në rrjetin social në Facebook që e ka bërë shefi i kabinetit të kryetarit Konjufca.

“Ai tha që nuk e ka bo atë shkrim për mu dhe unë thash që duhet të dal dhe ta sqaroj që nuk ka të bëjë me mua dhe nuk është për mua”, tha Gashi.

Ai tregoi se qe 10 vite nuk paguhet nga Kuvendi për mbulimin e karburanteve.

“Unë kam marr shpenzime në mandatin e parë si deputet. Dhe prej mandatit të dytë, që 4 mandate nuk marr shpenzime për udhëtim”, përfundoi Gashi.

Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të kryetarit Glauk Konjufca kishte bërë një postim drejtuar një deputeti të LDK-së, por nuk kishte përmendur ndonjë emër.