Dëshmitarët tregojnë se ku ndodhej Nenad Arsiq gjatë bombardimeve të 21 majit 1999

Në gjykimin ndaj ish policit rezervist serb, Nenad Arsiq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë, janë dëgjuar dëshmitarët e propozuar nga ana e mbrojtjes, Milivoja Shushuroviq dhe Nada Shushuroviq.

Prokuroria Speciale pretendon se Nenad Arsiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë, në mëngjesin e datës 21 maj të vitit 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ende të paidentifikuar, ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile shqiptare.

Dëshmitari Milivoja Shushuroviq, ka deklaruar se të akuzuarin e njeh përmes motrës dhe dhëndrit të të akuzuarit, të cilët i ka fqinj të parë në fshatin Novosellë të Serbisë.

Më pas ai ka treguar se i akuzuari ditën e 21 majit të vitit 1999 ka qenë te motra e tij për ta festuar festën e ‘Shën Nikollit’.

Unë e njoh Nenadin përmes motrës dhe dhëndrit të tij, ata e festojnë Nikollën e Shenjtë. Më 21 maj ai ka ardhur atje për këtë festë. Dhe unë këtë ditë të 21 majit 1999 e mbaj në mend shumë mirë, meqenëse ka qenë ky konflikti i armatosur dhe atë ditë kanë ndodhur bombardimet”, tha dëshmitari.

Tutje dëshmitari ka treguar se festa e ‘Shën Nikollës’ për serbët e Kosovës festohet ndryshe nga banorët serb të Serbisë, pasi që serbët e Kosovës fillojnë të festojnë në mbrëmjen e 21 majit së bashku me mysafirët, ndërsa të nesërmen në ditën e festës i ftojnë edhe fqinjët.

“Shën Nikolla festohet me datën 22 maj, ndërsa Nenadi ka arritur atje në mbrëmje të datës 21 maj. Po, kjo popullata që ka ardhur nga Kosova, ata e kanë ndryshe në raport me neve që jemi atje në Serbi. Ata në mbrëmje festojnë pikërisht në fazën e festës, ndërsa ditën e nesërme kur është dita e festës ata shkojnë në kishë dhe presin ëmbëlsirën dhe pastaj i thërrasin fqinjët e parë, e që unë jam një nga të parët”, ka thënë dëshmitari.

Milivoja Shushuroviq ka thënë se ditën e dytë të festës, më 23 maj e kishte ftuar për kafe në shtëpinë e tij të akuzuarin Nenad Arsiq, meqë i njëjti kishte qëndruar atje edhe atë ditë.

“Po e kam ftuar në kafe ditën e dytë të asaj feste, me qenë se ka qëndruar edhe ditën e dytë atje. Unë kam bërë bisedë të lirë me të, e kam pyetur çfarë bën në Kosovë, dhe ai ka qenë i veshur me uniformë policore”, tha dëshmitari.

Më pas në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Arben Hoti, se nëse gjatë bisedës e kishte pyetur të akuzuarin për shtëpinë e tij në Kosovë, dëshmitari u përgjigj se kishin biseduar me të dhe se nëna dhe motra e të akuzuarit Arsiq kanë qëndruar me të në Kosovë, dhe se ai kishte punuar si polic në Kosovë.

Tutje dëshmitari ka thënë se të akuzuarin e kishte parë të veshur edhe me uniformë.

“Po e kam parë të veshur në uniformë, policia ishte zhvendosur në Banjën e Nishit dhe ai ka punuar aty dhe ka ndodhur që ka ardhur i veshur tek motra dhe dhëndri i tij. Një njësi është zhvendosur aty, nuk e di se si e ka pasur emrin, mirëpo ashtu mendoj se është”, ka thënë dëshmitari.

Kurse edhe bashkëshortja e dëshmitarit Milivoja Shushuroviq, dëshmitarja Nada Shushuroviq ka thënë se i akuzuari Nenad Arsiq, me 21 maj 1999 kishte festuar festën e ‘Shën Nikollës’ në shtëpinë e motrës së tij.

“Ka ardhur me nënën e tij në festën e Shën Nikollës e cila festohet më 21 maj dhe 22 maj, ndërsa mysafirët vijnë me 21 maj, kjo pasi që ata që janë nga Kosova e festojnë në mbrëmje para ditës së festës. Kurse festën kryesore e kanë në mbrëmje të datës 21 maj, ndërsa me 22 maj vetëm rrethi i ngushtë familjarë rrinë së bashku aty”, ka thënë dëshmitarja.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve, kryetarja e trupit gjykues, Albina Shabani- Rama, ka njoftuar se jashtë shqyrtimit gjyqësor e ka aprovuar propozimin e Prokurorisë që të dëgjohet zyrtari policor hetues, Feim Salihu, i cili ka marrë pjesë në procedurën e identifikimit, për arsye se gjykata e ka konsideruar relevante dëshminë e tij.

Seanca e radhës është caktuar për datën  6 nëntor.

Prokuroria Speciale thotë se Nenad Asiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë, në mëngjesin e datës 21 maj të vitit 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile shqiptare.

Gjithnjë sipas prokurorisë, pasi i akuzuari Asiq dhe personat e tjerë kishin shkuar te familja Shala, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, kanë kërkuar që të largohen të gjithë personat, por pasi aty kishin mbetur Jakup dhe Skender Shala, i akuzuari “me dashje ka vepruar në mënyrë çnjerëzore duke cenuar integritetin trupor, shëndetin mendor, mirëqenien, duke i rrahur të dëmtuarit për një kohë të gjatë me shkopinj në pjesë të ndryshme të trupit

Prokuroria thotë se Nenad Arsiq e kishte detyruar të dëmtuarin Jakup Shala ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore pas rrahjes të gjatë të pinte alkool dhe të këndonte këngën serbe “Ko to kaze, ko to laze, Srbija je mala” (Kush po thotë, kush po gënjen që Serbia është e vogël), një këngë serbe e cila gjatë viteve 1990 kishte frymëzuar forcat serbe të ushtronin represion ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Aktakuza thotë se të dëmtuarit edhe sot vuajnë nga pasojat e dhunës së shkaktuar atë ditë nga forcat e armatosura serbe.

Tutje Prokuroria pretendon se ditën e njëjtë, i akuzuari Arsiq së bashku me personat kishte përvetësuar një pjesë të pasurisë së banorëve shqiptarë në lagjen “Emshir” veprim i cili, sipas aktakuzës, nuk mund të justifikohet me nevojat ushtarake.

Sipas prokurorisë nga familja Shala, pjesëtarët e policisë serbe kishin marrë 3,200 litra naftë të mbushur në fuqi, 200 mijë marka gjermane, 5 automjete dhe një traktor.

Raportimet për procesin gjyqësor ndaj të akuzuarit për krime lufte Nenad Arsiq – LINK