Rrëfimet e banorëve të Lagjes 'Emshir' të Prishtinës për rrahjen nga forcat serbe gjatë bombardimeve

Në gjykimin ndaj ish-policit rezervist serb, Nenad Arsiq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë, janë dëgjuar katër dëshmitarë të propozuar nga ana e Prokurorisë.

Të gjithë dëshmitarët gjatë deklarimit të tyre thanë se i kishin parë të dëmtuarit në këtë rast Jakup e Skender Shalën, që policia serbe i kishte rrahur.

Dëshmitari Vahid Haliti, i cili njëherit e ushtron punën e avokatit, gjatë deklarimit të tij bëri të ditur se gjatë kohës së luftës ka jetuar në Prishtinë, në lagjen “Emshir”, ku më pas ishte deportuar për në Maqedoni.

Kurse pas deportimit për në Maqedoni ku kishin udhëtuar me tren, vetura e tij ishte vjedhur dhe të njëjtën edhe pse e kishte kërkuar pas luftës, nuk e kishte gjetur asnjëherë.

Në pyetjen e prokurores speciale Drita Hajdari, se a kishin hyrë forcat serbe nëpër shtëpitë në lagjen “Emshir”, dëshmitari u përgjigj duke shtuar se kishin hyrë edhe në shtëpitë e fqinjëve të tij, Jakup dhe Skender Shalës.

“Në muajin maj dajën tim me djemtë e tij e kanë deportu për në Maqedoni, prej djalit të një komshiut kam dëgjuar që Skënderin dhe Jakupin i kanë rreh shumë fortë”, tha dëshmitari Haliti.

Edhe dëshmitari tjetër Behlul Shehu, i cili para trupit gjykues dëshmoi se si forcat serbe kishin hyrë në lagjen “Emshir” pas bombardimeve të NATO-s.

Dëshmitari deklaroi se policët i kishin parë në gjithë lagjen më datën 21-22 maj, ndërsa në shtëpinë e tij kishin hyrë rreth orës 16:00.

“Pasi u larguan policët unë shkova të vëllai, atë e kishin rrahur më pas shkuam te Jakupi, atë e kam pa ratë nuk mujke me lëviz krejt vred ish kon, s’kish pas ven që se kishin rreh, ndërsa Skenderi mujke me lëviz kapak”, rrëfeu dëshmitari.

Tutje ai deklaroi se atë ditë nuk i kishte pyetur se kush i kishte rrahur, por sipas dëshmitarit pas disa dite Jakupi i kishte thënë se një person nga Çagllavica kishte qenë në grup me policët qe e kishin rrahur.

“Mbas një kohe Jakupi më tha që ja kamë gjete shtëpinë personit që më ka rreh”, por dëshmitari më pas tregoi se shtëpia e personit që e kishte rrahur Jakupin kishte qenë shtëpia në të cilën kishte jetuar një grua e quajtur Angela Qup dhe me të cilën kishte pasur biznes djali i motrës së tij.

Kurse dëshmitari Rexhep Berisha deklaroi se gjatë vitit 1999 kishte jetuar në lagjen “Emshir”, ndërsa në kohën e bombardimeve deklaroi se kishte qenë në shtëpi.

“Atë dit kanë hy policia serbe në shtëpi ku kemi pasur të strehuar edhe vajzat ren dhe fëmijët e vëllait, ata kanë qenë me maska dhe i qitën jashtë të rreshtuar. Ma morën djalin 20 vjeçar jashtë dhe pritshin deri të vjen reni me i marr, se i merrshin të rinjtë”, deklaroi ai.

Berisha tregoi se ia kishte dhënë policit 200 marka që t’ia lirojnë djalin, duke shtuar se përpos ofendimeve të zakonshme nuk kishin përjetuar keqtrajtime nga ana e policëve serb.

Kurse se çfarë iu kishte ndodhur të dëmtuarve në këtë rast Jakupit dhe Skënderit, dëshmitari deklaroi se pas largimit të policisë kishte shkuar për t’i vizituar, pasi tha se gjatë gjithë kohës kishte dëgjuar britma e sharje tek shtëpia e tyre.

“Kur kom shku i kom pa të dërmum, sidomos Jakupin, ata kanë qenë të mavijosur, s’kanë pas vend pa shenja, dyert e shtëpisë ishin kanë të hapura, shtëpia e shkatërruar, dhe unë shkova me iu ndihmuar”, tha dëshmitari.

Në pyetjen e prokurores, se a e kishte parë ndonjëherë tani të akuzuarin, apo nëse kishte dëgjuar ndonjëherë, dëshmitari deklaroi se jo nuk e kishte parë ndonjëherë dhe as nuk kishte dëgjuar.

“Si Nenad kam dëgjuar, por nuk e di cili Nenad”, tha tutje dëshmitari.

Më pas seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Agron Haziri, i cili deklaroi se gjatë bombardimeve kishte qenë në shtëpinë e tij në lagjen “Emshir”.

“Atë ditë ka pas goxha shumë policë në gjithë lagjen, kanë ardhur prej rrugës të ujësjellësit me kerre dhe në këmbë, më pas dy kojshi tanë i kanë rreh, Skenderin dhe Jakupin”, tha dëshmitari.

“E kom pa Jakupin ratë, krejt trupin shenja e kish pas edhe më tha që më kanë rreh më kanë bo llom. Edhe shpinë llom e kishin pas”, deklaroi Haziri, duke shtuar se Jakupi i kishte thënë se e di se kush ishte personi që e kishte rrahur.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve, prokurorja Drita Hajdari propozoi dëgjimin e policit hetues, i cili ka qenë prezent me rastin e identifikimit të të akuzuarit.

Kurse ky propozim u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit Nenad Arsiq, avokati Dejan Vasiç.

Mirëpo trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Albina Shabani-Rama deklaroi se do të vendoset jashtë seance lidhur me propozimin e prokurores speciale.

Gjykimi për këtë rast pritet të vazhdojë me 1 tetor 2020, ku do japin deklarimin e tyre dëshmitarët e propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit.

Prokuroria Speciale thotë se Nenad Asiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë, në mëngjesin e datës 21 maj të vitit 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile shqiptare.

Gjithnjë sipas prokurorisë, pasi i akuzuari Asiq dhe personat e tjerë kishin shkuar te familja Shala, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, kanë kërkuar që të largohen të gjithë personat, por pasi aty kishin mbetur Jakup dhe Skender Shala, i akuzuari “me dashje ka vepruar në mënyrë çnjerëzore duke cenuar integritetin trupor, shëndetin mendor, mirëqenien, duke i rrahur të dëmtuarit për një kohë të gjatë me shkopinj në pjesë të ndryshme të trupit”.

Prokuroria thotë se Nenad Arsiq e kishte detyruar të dëmtuarin Jakup Shala ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore pas rrahjes të gjatë të pinte alkool dhe të këndonte këngën serbe “Ko to kaze, ko to laze, Srbija je mala” (Kush po thotë, kush po gënjen që Serbia është e vogël), një këngë serbe e cila gjatë viteve 1990 kishte frymëzuar forcat serbe të ushtronin represion ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Aktakuza thotë se të dëmtuarit edhe sot vuajnë nga pasojat e dhunës së shkaktuar atë ditë nga forcat e armatosura serbe.

Tutje Prokuroria pretendon se ditën e njëjtë, i akuzuari Arsiq së bashku me personat kishte përvetësuar një pjesë të pasurisë së banorëve shqiptarë në lagjen “Emshir” veprim i cili, sipas aktakuzës, nuk mund të justifikohet me nevojat ushtarake.

Sipas prokurorisë nga familja Shala, pjesëtarët e policisë serbe kishin marrë 3,200 litra naftë të mbushur në fuqi, 200 mijë marka gjermane, 5 automjete dhe një traktor.

I akuzuari Nenad Arsiq gjendet në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Dosja e Prokurorisë: Rezervisti serb e detyroi shqiptarin të pijë alkool e të këndojë këngën nacionaliste serbe