Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

Deputeti i PDK-së i kërkon Kurtit t’i shkarkojë disa ministra

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala nga parlamenti i Kosovës i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që t’i shkarkojë disa pjesëtarë të kabinetit qeveritar.

Sipas Shalës, kjo duhet të bëhet për shkak të krizës energjetike, e për të cilin fajin ua ka lënë qeverisë së Kosovës

“Për shkak të pa aftësisë dhe neglizhencës i themi kryeministrit duhet urgjentisht të lirojë një pjesë të kabinetit që mbulojnë sektorin e energjisë. Të shpallë gjendje emergjente të jashtëzakonshme mbështetur në legjislacionin në fuqi”, ka thënë Shala.

Shala ka shtuar se përgjegjësinë kryesore për krizën energjetike e ka Qeveria e Kosovës.

“Përgjegjësi kryesore është Qeveria e Kosovës me të gjithë sektorët dhe dikasteret që mbulojnë energjinë. A i ka kryer detyrat dhe obligimet qeveria karshi kësaj krize? E themi me përgjegjësi të plotë jo”, ka thënë Shala në seancën e Kuvendit.

Shala ka shtuar se Qeveria është orientuar drejt zbulimit të ashtuquajturve fajtor historik, parti e Qeveri të kaluara.

“Orientimi i terë kapacitetit qeveritar drejt zbulimit të ashtuquajturve fajtor historik, parti e qeveri të kaluara, procese e individ të caktuar për të ardhur ne përfundim që fajtorët janë qytetarët që kërkojnë shërbim dhe ngrohje gjatë dimrit. Kulmi i injorancës dhe pa përgjegjësisë institucionale është ky konstatim”, ka thënë ai.