Denoncimi i drejtoreshës së QKMF-së në Prizren: Mungojnë barnat e Listës Esenciale

Narqize Arënliu – Hoxhaj, drejtoreshë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, ka thënë se përballen me mungesë të barnave nga Lista Esenciale.

Në emisionin “Kallxo Përnime” ajo potencoi se kanë mungesë të shiringave dhe disa ilaçeve që janë për pacientë të cilët përballen me probleme të frymëmarrjes.

“Me barna nuk jemi shumë të kënaqur, mungojnë shiringat,  shpesh jemi furnizuar edhe nga vetë buxheti komunal, pasi mungesa në Listën Esenciale vjen për shkak të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë ajo.

Hoxhaj potencoi se 48 qendra të mjekësive familjare në Prizren japin shërbime për pacientë me COVID-19, duke mos lënë anash pacientët e tjerë.

“Në Prizren shërbimet kryhen në 48 qendra të QMF-ve, por edhe  pacientët tjerë nuk janë lënë anash”, shtoi ajo.

Komente të ngjashme për mungesë të shiringave ka dhënë edhe drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi.