Ilustrim

Dëmtohet një gyp i vjetër i ujësjellësit, disa pjesë të Prishtinës mbesin pa ujë

Disa pjesë të Prishtinës po përballen me mungesë të ujit si pasojë e dëmtimit të një gypi.

Rruga ” Bajram Bahtiri” deri në fshatin Llukarë dhe një pjesë e fshatit Makovc kanë mbetur pa furnizim me ujë.

Në një përgjigje për KALLXO.com zëdhënësja e Kompanisë Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, Arieta Mjeku, tha se furnizimi është ndërprerë për shkak të dëmtimit të një gypi të vjetër.

“Është një gyp mjaft i vjetër dhe është dëmtuar për shkak të vjetërsisë së tij”, ka thënë Mjeku për KALLXO.com.

Ajo tutje ka shtuar se ky gyp është në procedurë të ndërrimi në tërësi.

Sipas Mjekut njëra pjesë e tij do të ndërrohet nga ana e Komunës së Prishtinës, ndërsa gjysma tjetër nga ajo e ujësjellësit.

“Për shkak të kushteve klimatike janë ndërprerë punimet që të vazhdohet sapo ngritën pak temperaturat”, u shpreh tutje ajo.

Zëdhënësja e Ujësjellësit tutje shtoi se sot është duke u realizuar sanimi i gypit të dëmtuar pasi aty ka një rrjedhje uji.

Ky sanim është duke u bërë nga ekipet e mirëmbajtjes së KRU “Prishtina”.

“Ne momentin e sanimit të defektit rikthehet furnizimi me ujë. Se sa do zgjasin punimet varet nga ndërlikueshmëria e rastit”, tha për fund Mjeku.