Mungesa e ujit Ilustrimi: Pixabay

Qytetari ankohet se rruga 'Qerim Muriqi' në Pejë është pa ujë që 48 orë

Një qytetar nga Peja është ankuar se në rrugën “Qerim Muriqi” ka mungesë të ujit tash e 48 orë.

Sipas qytetarit i cili ka raportuar në KALLXO.com, tek banesat në këtë rrugë në vazhdimësi po ka mungesë të furnizimit me ujë.

Lidhur me këtë problem, KALLXO.com ka kontaktuar me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”.

Sipas Zyrës për Informim të kësaj kompanie, në paralagjet e Pejës ka problem të furnizimit me ujë për shkak të rënies së nivelit në burim dhe keqpërdorimit të ujit nga konsumatorët.

“Krahas kësaj, në rrugën ‘Qerim Muriqi’ dhe rrugët dytësore, ka ndodhur edhe dalje e pompave private nga sistemi. Edhe kjo si shkak i rënies së sasisë furnizuese, pasojë e shkaqeve të sipërshënuara, për çfarë ekipet e terrenit, përfshirë Njësitë Teknike dhe inspektorët Rajonal, po punojnë dhe janë në terren për evitimin e problematikës në furnizim dhe ndjekjen e keqpërdoruesve të ujit” – thuhet mes tjerash në përgjigjen e KRU “Hidrodrini”.

Tutje nga kjo kompani thonë se furnizimi me ujë mbetet problematikë për katet e sipërme të objekteve banesore.

KRU “Hidrodrini” si kompani furnizon me ujë Pejën, Deçanin, Istogun, Klinën dhe Junikun.