Demë Elezaj: Dritat e pistës së Aeroportit "Adem Jashari" kanë defekte, ka rrezik për ndonjë aksident ajror
Demë Elezaj, inxhinier i ndriçimit aeronautik, thotë se dritat në pistën e Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” kanë defekte.
Në emisionin “Kallxo Përnime” ai tha se këtë vit u suspendua nga puna për shkak të një raporti lidhur me inspektimin e punës dhe sigurisë në pistën e Aeroportit.
“Në vitin 2002 kam fillu punën në Aeroport deri në shkurt të këtij viti kur më është komunikuar suspendimi, që lidhet me raportin për inspektimin e punës dhe sigurinë në punimet e zgjatjes së pistës”, ka thënë ai.
“Pika e parë e raportit ka të bëjë me sigurinë, me dritat që janë të montuara në pistë, në pjesën ku aterrojnë dhe ngriten aeroplanët. Gjatë inspektimit është vërejtur se bazat e dritave janë deformuar dhe paraqesin rrezik për operimet. Ne menjëherë e kemi njoftu departamentin”, shton tutje Elezaj.
Ai thekson se për dritat që nuk janë në rregull e ka vërejtur në fund të vitit 2019 dhe filllimi i 2020.
Sipas tij, një defekt i tillë mund të ketë rrezik shumë të lartë për ndonjë aksident ajror.
“Në rastin kur dritat kanë defekte është rrezik direkt për aksident ajror, rreziku është shumë i lartë. Edhe pse e kemi adresu si problem nuk ka pas ndonjë përgjigje”, shtoi ai.
Ai thotë se edhe pse u bë projekti për zgjatje të pistës, dritat janë prapë në të njëjtën gjendje.
“Kur është bërë projekti i zgjatjes së pistës kam insistuar vazhdimisht që këto drita të ndërrohen, projekti për zgjatjen e pistës ka fillu në vitin 2019. Dritat janë prapë në këtë gjendje. Problemin për mungesën e bulonave në drita e kam adresuar edhe në Autoritetin e Aviacionit Civil”, shtoi Elezaj.
Sipas tij, edhe AAC ka vërejtur këto defekte te instalimet e reja, pasi bazat e dritave vetëm janë plotësuar me një lloj veshje, nuk janë ndërruar.
“Autoriteti i Aviacionit Civil ka vërejtur që edhe tek instalimet e reja ka shkëputje të pjesës mes dy bazave, aty nuk është përdorur standardi i aeroporteve tjera pasi bazat e dritave vetëm janë plotësuar me një lloj veshje, që në aeroporte tjera nuk praktikohet”, ka thënë ai.