Dekretohet Ligji për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës

Ministria e Drejtësisë ka njoftur se është dekretuar Ligji për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e Ministrisë theksohet se disa nga risitë e këtij Ligji janë: kompetenca ekskluzive e PSRK-së për hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, definimi më i qartë i kompetencave të PSRK-së për hetimin e veprave penale si dhe themelimi dhe funksionalizimi i njësisë së veçantë hetimore për ndjekjen e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Tutje, si risi e këtij Ligji është edhe mundësimi i krijimit të ekipeve të përbashkëta të hetimit në kuadër të PSRK-së me përbërje të ekspertëve nga institucionet e tjera shtetërore (Policia, Dogana, ATK dhe të tjera) për hetim efikas të veprave penale, si dhe kompetenca e PSRK-së për të ndjekur veprat penale të pastrimit të parave, pa u ndërlidhur domosdo me një vepër tjetër penale, duke mundësuar kështu “ndjekjen e rrugës së parave që rrjedhin nga veprimet kriminale”.

Në seancën plenare të 26 tetorit 2023, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për Prokurorinë Speciale.

Në këtë seancë, Kuvendi kishte miratuar edhe Ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.