Foto: Ilustrim
I vazhdohet paraburgimi ish-inspektorit të ATK-së, i dyshuar për marrje ryshfeti
Ish-inspektorit të Administratës Tatimore të Kosovës, D.F., i cili ishte arrestuar dhe prangosur në muajin prill për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti, i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.
Një gjë të tillë e konfirmoi prokurori Ali Uka, ushtrues detyre i kryeprokurorit të Gjakovës.
Bashkë me D.F., ishte arrestuar edhe kontabilisti B.H., i cili më pas ishte liruar në procedurë të rregullt.
Gjykata vendos për inspektorin e ATK-së, dyshohet se mori ryshfet para, tavolinë e karrige
Menjëherë pas arrestimit të D.F., Administrata Tatimore e Kosovës e kishte suspenduar nga puna, nën dyshimet për korrupsion.
ATK suspendon inspektorin e arrestuar për ryshfet
Ish-inspektori dyshohet të ketë marrë para nga një biznes-zdukthëtari në Rahovec me të dëmtuar A.H., me qëllim që të mos e ndëshkonin.
D.F. paratë i kishte marrë përmes personit të dytë pra kontabilistit B.H.,
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, në muajin janar 2020, në një zdukthëtari në Rahovec, me qëllim të mos inspektimit të punëtorisë së të dëmtuarit A.H., kontabilisti B.H., nga i dëmtuari kishte marrë 100 euro para të gatshme, një tavolinë dhe katër karrige në vlerë prej 360 euro.
Të gjitha këto i njëjti ia kishte dhënë ish-inspektorit D.F.
Më pas, me datën 14 prill, kontabilisti i dyqanit nga i dëmtuari A.H., kishte marrë edhe 500 euro të tjera, para këto të cilat janë pranuar për inspektorin.
Këto para i ishin dhënë të dëmtuarit nga Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë, ku pas aplikimit të masave të fshehta të hetimit, saktësisht “blerje e simuluar”, ishte arrestuar në flagrancë kontabilisti.
Arrestimi në flagrancë ishte bërë pas një urdhërese nga gjykata e Gjakovës, për vendosjen e kamerave të sigurisë në punëtorinë e të dëmtuarit A.H.
Pra, në bazë të këtyre veprimeve i pandehuri D.F., dyshohet që në mënyrë të tërthortë ka përfituar materialisht për vete përmes kontabilistit B.H.
Ndaj tij pritet të ngritet aktakuza nga Prokuroria e Gjakovës.
Inspektori i ATK-së, i arrestuar për ryshfet, nesër del para Gjykatës