Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Debatet për faturat e rrymës, KEDS dhe KESCO dalin me sqarim: Ne nuk e caktojmë çmimin

Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike, (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) kanë dalë me një reagim të përbashkët rreth debatit për faturat e energjisë elektrike, për të cilat janë ankuar qytetarët.

Këto dy kompani thonë se janë gjetur në qendër të grindjeve të vazhdueshme politike për përfitime politike mes partive rivale.

Ato thonë se nuk janë përgjegjëse për vendosjen e çmimeve, por për shpërndarjen dhe furnizimin e qytetarëve të Kosovës me energji elektrike.

“Dëshirojmë të sqarojmë se KEDS dhe KESCO nuk i vendosin këto çmime. Kjo është kompetenca e autoriteteve rregullatore, të cilat veprojnë në mënyrë të pavarur nga kompanitë tona. KEDS dhe KESCO u përmbahen në mënyrë strikte tarifave të përcaktuara nga këto organe rregullatore” – thuhet në reagimin e tyre.

KEDS dhe KESCO e kanë quajtur dëshpërues politizimin e operimit të tyre për përfitime politike.

“Ne besojmë fuqishëm se publiku dhe partitë politike duhet të respektojnë autonominë e fushëveprimit të kompanive private, të parashikuara në kushtetutën tonë. Akuzat e pabaza dhe sulmet politike jo vetëm që keqinterpretojnë rolin tonë, porse edhe minojnë mjedisin e biznesit në Kosovë” – thonë më tej këdo dy kompani.

Ato kanë bërë thirrje që të gjitha palë të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të njohin rolin e tyre siç përcaktohet nga kornizat rregullatore.

Berat Rukiqi, ekonomist nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka akuzuar sot Qeverinë Kurti për varfërim të qytetarëve përmes çmimit të energjisë elektrike.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka shkruar mbrëmë për këtë çështje, duke thënë se “Qeveria ka mashtruar qytetarët duke subvencionuar për pajisje “efiçiente” e duke larguar qytetarin nga përdorimi i mundësive tjera alternative për nxehje”.

Pas reagimeve të shumta të qytetarëve për çmime të larta të faturave të energjisë, KESCO sot po ashtu kishte deklaruar se nuk ka rritje të tarifave fundore, po sipas saj, shumë konsumatorë po ngrohen me rrymë.

Sipas KESCO-s, tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur afërsisht 15% krahasuar me tarifat 2022-2023, me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë më 1 prill 2023.