Ankesat për çmime të larta të faturave të rrymës, deklarohet KESCO

Pas reagimeve të shumta të qytetarëve për çmime të larta të faturave të energjisë, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka deklaruar se nuk ka rritje të tarifave fundore, po sipas tyre,  shumë konsumatorë po ngrohen me rrymë.

Sipas KESCO-s, tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur afërsisht 15% krahasuar me tarifat 2022-2023, me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, më 1 prill 2023.

“Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kwh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve”- thuhet në njoftim.

Tutje, KESCO shton se efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike.

“Disa konsumatorë po marrin fatura më të larta sepse po përdorin masivisht energjinë elektrike për ngrohje”- thuhet tutje në njoftim.

Sipas njoftimit, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka ndërtuar një strukturë tarifore të ndarë në blloqe shpenzuese.

“Kështu, nëse ju si konsumator familjar konsumoni deri në 800 kWh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën, të cilat në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00. Gjatë ditës çmimi është 7.79 cent për kWh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 cent për kWh”- thuhet më tej në njoftim.

Megjithatë, sipas KESCO-s, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kwh.

“Nëse një konsumator konsumon 1600 kWh, atëherë pjesa deri në 800 kWh llogaritet me çmimet e lartpërmendura. Ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kWh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kWh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kWh”- sqaron Më tej KESCO.

Në njoftim potencohet se të gjitha këto çmime janë të shënuara në çdo faturë për konsumatorët.