Euro, foto: Pixabay

Ligji për pagat në sektorin publik publikohet në Gazetën Zyrtare

Pas dekretimit të Ligjit për pagat në sektorin publik që u bë dje nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ky Ligj sot është publikuar në Gazetën Zyrtare.

Dekretimi nga ana e të parës së shtetit është bërë pas analizave ligjore të Ligjit nga Zyra e Presidentes, përderisa hyrja në fuqi e Ligjit në fjalë pritet të bëhet pas një muaji.

Ligji për pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës më 22 dhjetor 2022.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e Parlamentit.

Kritikat e tyre lidheshin kryesisht me moscaktimin e vlerës së koeficientit.

Ky Ligj parashihet të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20.

Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët. Por, në atë draft të Projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij Ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin.

Zyrtarisht ende nuk dihet sa është koeficienti.

Projektligji për pagat në sektorin publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, Projektligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.

Presidentja Osmani dekreton Ligjin për paga në sektorin publik