COVID-19, Arben Vitia apelon për kujdes

Ministri  në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia është deklaruar pas viktimës së radhës nga coronavirusi në Kosovë, gruas shtatzënë e cila vdiq sot bashkë me foshnjën e saj.

Vitia është shprehur se marrin pjesë në dhimbjen e dyfishtë të familjes.

“Sot morëm njoftimin e rëndë për humbjen e jetës së bashkëqytetares sonë. Ajo priste të bëhej nënë. Komplikimet nga Covid-19 ia prenë jetën dhe ëndrrën në mes. Marrim pjesë në këtë dhimbje të dyfishtë të familjes e miqve! Nuk ka fjalë ajo çfarë ndjejmë ne dhe gjithë stafi mjekësor që e asistoi gjatë tërë këtyre ditëve të vështira”, ka shkruar Vitia në Facebook.

Ministri në detyrë ka bërë thirrje që qytetarët t’i respektojnë masat për t’u mbrotjur nga COVID-19.

“Të nderuar qytetarë, na duhet forcë e disiplinë për të shmangur dhembje të tjera. Të mbrojmë veten dhe të dashurit tanë. Jeta ka vlerë sepse ajo e bën të mundur çdo shpresë e çdo projekt. Kurrë nuk është mjaft kujdesi. Le të mos shpërqendrohemi nga mbrojtja në këtë betejë që hera – herës i kapërcen mundësitë tona të deritanishme. Të zbatojmë rregullat, të mbrojmë e shpëtojmë jetë. Duhet të besojmë realisht që kjo fazë është e përkohshme dhe nuk duhet të rrezikojmë një jetë të tërë nga pakujdesitë në këto pak javë”, thuhet në publikimin e tij.

Deri më tani në Kosovë, 598 persona janë konfirmuar me coronavirus, 123 janë shëruar dhe janë shënuar 16 viktima.