Klinika Gjinekologjike në Prishtinë/ Foto arkiv: ShSKUK
Përurohet Klinika e rinovuar e Gjinekologjisë, Kurti: Bëhet fjalë për një investim 5.5 milionësh
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është përuruar sot, më 18.06.2024, Klinika e rinovuar e Gjinekologjisë.
Gjatë përurimit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se bëhet fjalë për një investim 5.5 milionësh.
Tani, sipas tij, dhomat janë me nga dy krevate dhe në secilën prej tyre ka nyje sanitare e banjo.
“Bëhët fjalë për 5.5 milionë euro që janë investuar këtu, me ç’rast 3 milionë euro janë për fertilizimin e asistuar mjekësor, ndërsa rreth 2.4 milionë euro janë për mjekësinë fetale dhe amiocentezën. Dikur kanë qenë 7,8 gra në një dhomë, ndërkohë që banjo ka qenë e përbashkët. Tash janë në secilën dhomë dy krevate dhe në secilën dhomë ka nyje sanitare e banjo;, ka shpjeguar Kurti.
Ai ka përkujtuar se para 10 vjetësh e ka pasur gruan e tij në këtë klinikë.
“Para 10 vjetëve e kam pasur gruan time këtu e cila e pat lindur vajzën tonë, mirëpo sot kur hyra këtu në spital në shërbimin e Klinikës Gjinekologjike nuk mund ta dallosh që je në Prishtinë, nëse e krahasojmë para një dekade me vendin e njëjtë”- u shpreh Kurti.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se në këto reparte janë instaluar edhe njësitë tjera të cilat do të ndihmojnë në sistemin informativ shëndetësor.
“Në këto reparte janë instaluar edhe njësitë e reja të cilat do të ndihmojnë në sistemimin informativ shëndetësor. Do të ketë digjitalizim të radhëve- do të këtë procese të digjitalizuara. Dhe, gjithë kjo, përveç kushteve të jashtëzakonshme që tani e tutje do t’i kenë gratë në këtë klinikë, edhe punëtorët do ta kenë shumë më lehtë që të bëjnë punën e tyre. Natyrisht sot edhe falënderohem nga ta, jo vetëm për shkak të kushteve, por edhe për shkak të rrjedhjes së pacienteve dhe mënyrës më të dinjitetshme të trajtimit të grave në klinikë”- ka thënë Vitia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vizituar Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës më 08.03.2024, për të parë nga afër renovimet në katër reparte të kësaj klinike.
Kurti e Vitia, në mars të këtij viti patën zhvilluar një vizitë në Klinikën e Gjinekologjisë për të parë nga afër sesi po ecnin rinovimet.
Ekipi i KALLXO.com e ka vizituar Klinikën e Gjinekologjisë më 02.02.2024 dhe më pas ka raportuar rreth gjendjes së pacientëve që trajtoheshin përgjatë këtyre renovimeve.
Për shkak të ambienteve të pluhurosura të kësaj klinike si pasojë e renovimeve, lehonat e shtrira mbanin foshnjat e tyre në krah. Ndërsa, zhurma e “hiltave” mbizotëronte vajin e foshnjave të porsalindura.
Në lidhje me këtë raportim, Ndrejaj në një përgjigje për KALLXO.com më 02.02.2024 kishte thënë se nuk kanë hapësira për t’i larguar lehonat larg vendpunimeve.
Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, në bazë të këtij projekti për renovime përfshihet edhe digjitalizimi i pjesës hyrëse të Klinikës së Gjinekologjisë, tek recepsioni, i cili pritet t’ua lehtësojë punën stafit dhe t’i minimizojë pritjet e gjata të pacientëve për të marrë shërbime.