Drejtësia, ilustrimi: Pixabay
Çka thot Raporti i Progresit për sistemin e drejtësisë në Kosovë?
Raporti i Progresit për Kosovën, i cili është publikuar më 04.11.2025, flet edhe për trupat e sistemit të drejtësisë siç është Këshilli Gjyqësor i Kosovë dhe Këshilli Prokurorial, Oda e Avokatëve dhe Oda e Noterëve.
Sipas Raportit të Progresit, udhëheqësit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë demonstruar përkushtim në avancimin e sundimit të ligjit, kurse për Këshillin Prokurorial thekson se ka rezerva në aftësi dhe në përkushtim sa i përket kësaj pjese.
Raporti i Progresit ka thënë se që nga prilli i vitit 2022 Kosova është pa Kryeprokuror të Shtetit, i cili momentalisht është duke u mbajtur me ushtrues të detyrës, andaj raporti thot se Këshilli Prokurorial duhet menjëherë të fillojë me procesin transparent dhe meritokrat për këtë post.
Sipas Raportit, pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit dhe prokurorisë duhet që të përmirësohen në të gjitha fushat.
Tutje Raporti i Progresit ka thënë se ekziston një mungesë e të kuptuarit të këtyre parimeve brenda gjyqësorit dhe prokurorisë, duke krijuar mundësinë për ndikim të padrejtë brenda sistemit.
Tutje në Rapor thuhet se në sistemin e drejtësisë ka ende regjistrim të lëndëve në mënyrë manuale.
Në këtë pikë, si shqetësuese, Raporti i Progresit e ka parë regjistrimin e lëndëve në mënyrë manuale në Prokurori Speciale dhe në Gjykatën e Apelit, që merren ekskluzivisht me raste të niveleve të larta të korrupsionit.
Raporti i Progresit ka potencuar edhe faktin e tensioneve mes Qeverisë dhe Prokurorisë, duke e theksuar si periudhë kohore fushatën zgjedhore.
Sipas Raportit, duhet të bëhet progres që të shmangen ndikimet e jashtme apo të brendshme në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve sidomos nga politika, gjë për të cilën gjatë kësaj periudhe raportuese vetëm një prokuror ka kërkuar mbrojtje të afërt.
Raporti i Progresit ka analizuar edhe llogaridhënien e gjyqësorit dhe prokurorisë, gjë për të cilën ka thënë se duhet që të avancohet. Këshillat sipas Raportit të Progresit përkundër inicimit të procedurave disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë duhet të shoqërohen me sanksione adekuate për shkeljet e evidentuara. Këto procedura duhet të jenë të drejta dhe transparente, thuhet në Raport.
Sa i përket durueshmërisë të gjykimeve që zhvillohen për rastet e profileve të larta, sipas Raportit, duhet që të avancohen, pasi disa prej këtyre rasteve ose janë me aktgjykime liruese ose me dënime të ulëta.
Sa u përket hetimeve të krimeve të rënda dhe krimeve në baza gjinore janë të shoqëruara me aktakuza joefikase ose me dënime që dallojnë nga rastet në raste.
Rekrutimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj është një ndër hapat për të fuqizuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë.
KPK dhe KGJK duhet të prioritizojnë nevojat institucionale duke u bazuar në aspektin financiar dhe njerëzor.
Zhvillim i dialogut mes institucioneve të drejtësisë, qeverive dhe parlamentit, është një hap esencial për të identifikuar nevojat e planet strategjike për të siguruar ofrimin e një drejtësisë efikase.
Oda e Avokatëve të Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet që të marrin hapa konkretë që të sigurohen se avokatët i arrijnë standardet profesionale dhe etike.
Raporti i Progresit thot se numri i vogël i noterëve të komunitetit serb në Kosovë e pengon qasjen e qytetarëve në sistem të drejtësisë, gjë e cila duhet të adresohet.
Raporti i Progresit ka evidentuar vazhdimin e paarsyeshëm të paraburgimeve në rastet e çështjeve gjyqësore që rigjykohen.
Në këtë aspekt, Raporti ka thënë se në çështje administrative, civile dhe komerciale ka shumë raste të rigjykimeve, tejzgjatje e proceseve në aspektin kohor, ndonëse ka përmirësim në këtë aspekt.
Zvarritja e zgjidhjes së çështjeve, sidomos në rastet e profilit të lartë të korrupsionit, vazhdon të qëndrojë si njollë në sistem të drejtësisë.
Seanca joproduktive sipas Raportit janë evidentuar nga shtyerja e shpeshtë e gjykimeve dhe të paarsyeshme.
Sistemi i drejtësisë në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të përballet me vështirësi sidomos pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës në vitin 2022.
Për më shumë rreth Raportit të Progresit për sistemin e drejtësisë mund të lexoni në këtë LINK në faqet 25-34.