Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Cilat janë ndërmarrjet që do të transferohen në Fondin Sovran sipas grupit të ekspertëve?

Korporata Energjetike e Kosovës, Posta e Kosovës, Telekomi i Kosovës, ndërmarrjet si Trainkos, Infrakos, Iber-Lepenci e Trepça do të transferohen në fazën fillestare në Fondin Sovran të Kosovës.

Kështu ka thënë, Mentor Hyseni pjesë e grupit të ekspertëve që po punojnë në draft-ligjin për themelimin e Fondit Sovran.

“Pra në vitet në vijim priten investime të mëdha në sektorin e Energjetikës, Telekomunikacionit, Transportit Hekurudhor dhe në Minierat e Kosovës” – ka shkruar Hyseni në Facebook.

Sipas tij, fushëveprimi kryesor i fondit do të jetë menaxhimi me ndërmarrjet publike dhe pronat e AKP-së duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Përveç kësaj, fondi do të ketë edhe pjesën investive, e cila ka për qëllim që mjetet likuide të fondit të investohen fillimisht në projektet e ndërmarrjeve publike, më vonë edhe në tregjet e kapitalit” – ka shkruar ai.

Hyseni ka treguar se të hyrat kryesore do të jenë nga kapitali fillestar i fondit, të hyrat nga dividenta e ndërmarrjeve publike, të hyrat nga pronat e AKP-së dhe nga emetimi i letrave me vlerë.

“Ku investitorët kryesorë të letrave me vlerë do të jenë edhe mërgata jonë” – ka përfunduar Hyseni.

Qeveria e Kosovës në qershor të vitit të kaluar kishte miratuar koncept-dokumentin për Fondin Sovran të Kosovës ndërsa në shtator të vitit 2021 kishte themeluar Komisionin për këtë fond.

Emanuel Bajra njëri nga pjesëmarrësit në grupin punues të Qeverisë së Kosovës për përgatitjen e koncept-dokumentit për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës kishte treguar si do të dukej ky fond.

Ai tha se Fondi Sovran do të shërbejë si një ristrukturim i ekonomisë së vendit, ndërsa theksoi se viti 2025 mund ta gjejë Kosovën me këtë Fond.

Bajra shpjegoi se Fondi Sovran, 80% do të ketë karakter zhvillimor ndërsa 20% do të jetë investues.

Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar që Agjencinë e Privatizimit do ta shuajë dhe asetet e saj do t’i kalojë në pronësi të Fondit Sovran.