Si do të bëhet kalimi i ndërmarrjeve shoqërore nga AKP në Fondin Sovran?

Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti ka miratuar koncept-dokumentin për themelimin e Fondit Sovran.

Fondi Sovran, si pasardhës i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pritet të ketë nën menaxhim ndërmarrjet shoqërore, ndërsa sipas Emanuel Bajrës, pjesë e grupit punues për këtë koncept-dokumente, ndërmarrjet do të pranohen në Fond pa obligime, pra do të filtrohen.

“Ne do të propozojmë një lloj mekanizimi i quajtur ‘Bankë e keqe’ që i grumbullon asetet që nuk kanë përformuar mirë sepse Fondi Sovran nuk do t’i pranojë ato. Do të ketë shpronësime, do të ketë shitje të aseteve që janë të vlefshme para se të kalojnë ato nga AKP në Fondin Sovran. Tranzicioni nga AKP në Fondin Sovran do të jetë shumë sfidues por në strukturimin e shumë ndërmarrjeve është përcaktuar një trajektore”, tha ai.

Bajra theksoi se do të ketë kritere për ndërmarrjet shoqërore të cilat do të kalojnë nga AKP në Fondin Sovran.

“Kriteret e Fondit Sovran do të jenë, stabiliteti financiar i korporatës, organizmit apo çka do që të jetë ajo; komercializmi, pra sa është komerciale ajo dhe pse duhet t’i kalojë Fondit ajo ndërmarrje pra jo vetëm që do të shohim se çfarë materiali na ka sjellë Qeveria por edhe ne vetë do ta shikojmë. Si dhe tranzicioni nuk do të ndodh për raste politike, do të jenë shumë gjëra të qarta… Për shembull, hotelin ‘Grand’ ne e duam të pastër kur të kalojë në Fond, pa obligime, pa borxhe dhe pa probleme juridike, pa asnjë hisedarë tjetër. Njësoj edhe ‘Trepçën’ nëse e trashëgojmë, e marrim pa implikime financiare”, tha Bajra.

Qeveria merr vendim të mos shiten asetet e AKP-së që do të kalojnë në Fondin Sovran