Si do të duket Fondi Sovran i Kosovës?

Sonte në emisionin “Kallxo Përnime” është i ftuar Emanuel Bajra njëri nga pjesëmarrësit në grupin punues të Qeverisë së Kosovës për përgatitjen e koncept-dokumentit për themelimin e Fondit Sovran të Republikë së Kosovës.

Bajra, i cili për 16 vite radhazi ka qenë i angazhuar në sistemin bankar të Britanisë së Madhë, tha se Fondi Sovran do të përfshijë të gjitha ‘arteriet’ e ekonomisë së vendit.

Ai tha se Fondi Sovran do të shërbejë si një ristrukturim i ekonomisë së vendit, ndërsa theksoi se viti 2025 mund ta gjejë Kosovën me këtë Fond.

“Si entitet financiar ose unë e quaj superentitet Fondin Sovran. Ai do të mbështjellë gati të gjitha arteriet e ekonomisë së vendit. Këtu nënkuptoj asetet likuide, jolikuide, thesarin, mineralet e shumë të tjera… Kosova duhet të ristrukturojë ekonominë e saj dhe kjo do të jetë përmes këtij Fondi sepse kemi nevojë për një strukturë të organizuar mirë si ekonomike ashtu edhe financiare. Përmes këtij rikonstruktimi do të krijojmë një lloj reputacioni pozitiv në botë”, tha ai.

Bajra shpjegoi se Fondi Sovran, 80% do të ketë karakter zhvillimor ndërsa 20% do të jetë investues.

“Brenda konotacionit zhvillimor e ka përmbajtjen si ‘asetmbledhës’. Ne duhet të jemi realistë, Kosova nuk është e gatshme që Fondi Sovran të jetë 50% karakter investues”, tha ai.

Ndërsa theksoi se  Fondi Sovran do të ketë qasje në tregun e brendshëm të Kosovës. Ky Fond do të mund të blejë aksione në biznese ndërsa edhe qytetarët do të mund të investojnë në të.

Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti ka miratuar koncept-dokumentin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës.

Ky Fond ka qenë premtim i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare.

“Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri, do t’i jap jetë të re aseteve që qëndrojnë të nën-shfrytëzuara në AKP, do t’i jap një shtytje dhe orientim të ri ekonomisë së Kosovës. Fondi pritet që të kryej jo vetëm një rol mbikëqyrës të aseteve të Kosovës”, kishte thënë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës kur ishte miratuar koncept-dokumenti për Fondin Sovran.

Kurti: Bëmë hapin e parë drejt themelimit të Fondit Sovran