Rënia e kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës
Cilat janë erërat e forta dhe çfarë dëme shkaktojnë ato?
Forca e erës e regjistruar të enjten me 18 janar, nuk është në nivelin e erërave të forta që Instituti Hidrometerologjik i Kosovës e ka konsideruar të rëndësishme ta njoftojë popullatën për dëmet që mund të shkaktojë.
Pavarësisht se Komuna e Prishtinës në lidhje me rënien e kulmit të objektit të tyre të enjten, i ka bërë shkaktarë erërat e forta për atë që ndodhi.
Forca e erës vlerësohet me 13 shkallë të boforit dhe për IHMK, të enjten forca e erës ka qenë 5 shkallë të boforit, me shpejtësi të erës 9.8 m/s.
Sipas IHMK, kjo vlerë e forcës së erës bën që drunjtë e vegjël me gjethe të fillojnë të tunden, lëvizë flamuj e të ngjashme.
Kurse, forca e erës prej 10 shkallë të boforit e tutje, do të shkaktonte dëme të konsiderueshme në ndërtesa.
Në vazhdim janë të renditura shkallët tjera të boforit për forcë të erës dhe dëmet që shkaktojnë, sipas të dhënave që IHMK i ka ndarë për KALLXO.com.
Në 6 shkallë të boforit ka erë të fortë, e cila lëvizë degët e mëdha, ombrellat mbahen me vështirësi dhe ushtojnë telat e përcjellësve të rrymës.
Në 7 shkallë të boforit, era ka shpejtësinë 50-61 km/h dhe konsiderohet erë shumë e fortë, e cila luhatë pemët të tëra, dhe lëvizja në drejtim të kundërt të erës është e vështirësuar.
Në 8 shkallë të boforit, ka erë stuhie si pasojë e së cilës, thyhen degët në pemë dhe bukur shumë është e vështirësuar ecja në hapësirën e lirë. Në këtë rast, shpejtësia e erës vlerësohet të jetë 62-74 km/h.
Në 9 shkallë të boforit, ka stuhi, kur era është në shpejtësinë 75-88 km/h. Stuhia do të shkaktonte prishje të vogla në shtëpi, rrënim të tymtarëve dhe rënie e tjegullave nga pullazet.
Në 10 shkallë të boforit ka stuhi të fortë, me shpejtësi të erës 89-102 km/h, e cila thyen ose i shkul pemët dhe sjellë dëme të konsiderueshme në ndërtesa.
Në 11 shkallë të boforit, ka shpejtësi të erës prej 103-117 km/h, ku ka stuhi të ngjashme me shtrëngatë dhe kjo do të shkaktonte dëme të mëdha duke rrëzuar pullazet e ndërtesave.
Në 12 shkallë të boforit, ka shpejtësia të erës mbi 117 km/h, era ka forcën prej 12 shkallë të boforit dhe konsiderohet shtrëngatë-ORKAN, e që në këtë rast ka veprim shkatërrues.
Të enjten, si pasojë e rënies së kulmit të objektit të Prishtinës, është lënduar një 23-vjeçare dhe janë dëmtuar disa vetura.
Gjendja shëndetësore e 23-vjecares është relativisht stabile, ndonëse me lëndime serioze në regjionin e kokës.
Ajo i është nënshtruar mbrëmë një intervenimi kirurgjik nga ekipi kujdestar i Neurokirurgjisë dhe po trajtohet në Klinikën Intensive.
“Lëndimet janë kryesisht në regjionin e kokës nga goditja e mjetit të fortë” – tregoi Shefi i Intensivës, Shaqir Uka për KALLXO.com.
Në anën tjetër, Prokuroria e Prishtinës në koordinim me policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.