Rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës - Foto: 18.01.2024
Gjendja e 23-vjeçares që u lëndua nga rënia e kulmit së objektit të ri të Komunës së Prishtinës
Gjendja e 23-vjecares që u lëndua dje nga rënia e kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës është relativisht stabile, ndonëse me lëndime serioze.
Ajo i është nënshtruar mbrëmë një intervenimi kirurgjik nga ekipi kujdestar i Neurokirurgjisë dhe tani po trajtohet në Klinikën Intensive.
“Lëndimet janë kryesisht në regjionin e kokës nga goditja e mjetit të fortë” – tregoi Shefi i Intensivës, Shaqir Uka për KALLXO.com.
Uka tha se ajo është dërguar në Intensivë dje, pak para mesnatës.
“Për momentin është në gjendje relativisht stabile, përkundër që lëndimet janë serioze” – shtoi ai.
Uka tha se po luftojnë për t’i parandaluar komplikimet e mundshme dhe dëmtimet sekondare që ndodhin pas këtyre lëndimeve.
Siç tha ai, stafi mjekësor po vazhdon t’i bëjë ekzaminime shtesë dhe t’i ofrojë terapinë e duhur pacientes sipas protokolleve standarde.
Fillimisht, pacientja ishte dërguar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në të cilën i janë bërë edhe ekzaminimet laboratorike dhe rentgenologjike.
Prokuroria e Prishtinës në koordinim me Policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur rastin e rënies së çatisë së objektit të ri Komunës së Prishtinës.
Për rastin reagoi edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se ka kontaktuar me familjarët e të lënduarës për t’iu qëndruar pranë në këto momente dhe se lutet për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë.
Kryetari i kryeqytetit po ashtu kërkoi nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, tha se kulmi i objektit të ri të Komunës sipas të gjitha gjasave ka rënë si pasojë e erërave të forta.