Foto-ilustrim

30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit Granit Paçarizi për kanosjen e drejtorit të Shërbimeve Publike në Prizren

Gjykata e Prizrenit ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj Granit Paçarizi, i dyshuar për kanosjen që i është bërë drejtorit të Shërbimeve Publike në Prizren, Çelë Lamaj dhe zyrtarëve të kësaj drejtorie.

Sipas Gjykatës, më 28 mars, në orën 15:30, në objektin e Kuvendit Komunal në Prizren, në zyrë të Drejtorisë për Shërbime Publike, i dyshuari Granit Paçarizi, ushtroi presion dhe i kanosi personat zyrtarë lidhur me një tender për instalimin e ndriçimit publik në komunën e Prizrenit.

“Të dëmtuarit S.T., – menaxher i projektit i kanoset me fjalët ‘………. ka me të vra para Komune, nuk ke me gëzu pensionin’ ndërsa personit tjetër zyrtar Ç.L., Drejtor i Shërbimeve publike, i pandehuri e kanos me fjalët ‘Nuk guxon kush me ndërpre kontratën’”-thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Masa e paraburgimit ndaj të pandehurit Paçarizi do të llogaritet nga koha e arrestimit më 5 prill 2022 dhe mund të vlejë deri më 5 maj 2022.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, pasi që i pandehuri dyshohet se seriozisht ka kanosur personat zyrtarë dhe atë lidhur me punën e tyre zyrtare, dhe këto rrethana tregojnë rrezikun se i njëjti mund të përsërisë veprën penale apo të kryejë vepër penale edhe më të rëndë.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prizren, Çelë Lamaj, të premten e ka mohuar për KALLXO.com se është kërcënuar në lidhje me tenderin në fjalë.

Drejtori Lamaj ka thënë se personi vetëm ka biseduar me tone të ngritura, por nuk e ka kërcënuar.

“Kemi pas kontakte, nuk ka qenë ndonjë kërcënim. Ka qenë keqkuptim e keqinformim. Kemi qenë në polici dhe e kemi sqaruar rastin, të hënën do të shkoj ta jap edhe një deklaratë dhe kjo është e gjitha. Individi ka qenë i keqkuptuar dhe ka pasur tone të ngritura, ka qenë i keqinformuar. Ai tender është në gjykatë”, është shprehur drejtori Lamaj.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar dhe Prokuroria e Prizrenit. Të njëjtit kanë deklaruar se janë duke mbledhur informacione në lidhje me palët e përfshira në rast.

“Lidhur me rastin të cilit i referoheni ju njoftojmë se, Prokuroria Themelore në Prizren me datë 31.03.2022 ex officio ka lëshuar autorizim për grumbullimin e informacioneve për palët e përfshira në rast”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Prokuroria e Prizrenit, në muajin dhjetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj tre personave nën dyshimin se kanë kryer veprat penale të keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik dhe veprën penale falsifikimi i dokumenteve.

Sipas aktakuzës më 26 qershor 2020, G. P., S. S., B. S., – persona juridik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik me titull “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, ku si autoritet kontraktues ka qenë Kuvendi Komunal i Prizrenit, me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender paraqesin faturën fiktive kinse kanë në pronësi semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë, si dhe prezantojnë listën fiktive të punëtorëve kinse i kanë 10 punëtorë të punësuar.

Sipas prokurorisë, të pandehurit arrijnë të bindin Komunën e Prizrenit dhe përfitojnë lidhjen e kontratës të datës 22 shkurt 2021 në shumën prej 1,394,853.90 euro me të cilën shumë e dëmtojnë Buxhetin e Kosovës.

Tenderi rreth 1.4 milionë euro për ndriçimin publik në Prizren, aktakuzë ndaj 3 personave