Shefi për diplomaci i bllokut evropian, Josep Borrell.

Borrell shprehet i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës pas zgjedhjeve

Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është shprehur i shqetësuar për gjendjen në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kjo temë ishte e treta në rendin e ditës në takimin trepalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Borrell tha se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate, teksa shtoi se sipas tij mund të dërgojnë drejt përshkallëzmit dhe minim të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

“Diskutuam çështjet aktuale, gjendjen në terren. Shpreha edhe një brengë të madhe sa i përket gjendjes në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të fundit me një shkallë të ulët të daljes në zgjedhje. Është e qartë që me këtë shkallë të ulët të daljes në zgjedhje sepse nuk ofrojnë një zgjidhje afatgjate, dhe më e kundërta ndoshta kanë potencial për të çuar drejt përshkallëzimit dhe për të minuar implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe ne nuk duam që kjo të ndodhë, është një rrezik, por kam inkurajuar palët që të gjejnë zgjidhje që u mundëson serbëve të Kosovës të kthehen në institucione”- deklaroi Borrell.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.