Bordi i ShSKUK-së viziton Spitalin e Vushtrrisë, jep një “mal” me kritika

Si në çdo vizitë tjetër të Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar nëpër spitalet rajonale, edhe në Spitalin e Vushtrrisë, anëtarët e tij u ndanë të pakënaqur me punën e bërë.

Në vizitën dhe mbledhjen e mbajtur sot në këtë spital, Kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi tha se nëse ky spital do të ishte privat dhe do të kishte këto rezultate, ai do të bankrotonte.

Gjatë raportimit të saj para Bordit dhe Drejtorit të ShSKUK-së, Elvir Azizit, Drejtoresha e këtij spitali, Shefkije Shatri tregoi se që nga maj i këtij viti kanë realizuar vetëm 280 CT, e megjithatë lista e pritjes për të marrë këtë shërbim është 2 deri në 3 javë. Kjo listë, sipas Shatrit nuk vlen për pacientët e shtrirë dhe me raste emergjente, pasi që tha se ato kryhen me prioritet.

Kryesuesi i Bordit të ShSKUK-së, Naim Bardiqi tha se sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që një shërbim të jetë kost-efektiv duhet të bëhen 360 CT në javë. Prandaj, ai kërkoi që kjo listë e pritjes, që sipas tij vjen nga keqorganizimi, të eliminohet.
Gjatë periudhës janar – qershor ka pasur edhe më pak CT të realizuara, 179 sosh, pasi që siç tha Drejtoresha Shatri, aparatura ka qenë e prishur deri në muajin maj.

Kryesuesi ishte i interesuar edhe për numrin e laparaskopive të kryera, pasi që tha se ky spital është i njohur për këtë shërbim. Mirëpo, përgjigja që mori, nuk ishte e kënaqshme.

“Me keqardhje them se këtë vit ka ndërruar pak çështja e intervenimeve sepse deri në mars kemi pas veç dy kirurgë, pastaj janë bërë katr” – tha Drejtoresha e Spitalit të Vushtrrisë.

Ajo tregoi se janë 162 laparaskopi të realizuara, ndërsa tha se gjendja është në përmirësim me nga 4-5 sosh brenda ditës.
Sipas Naim Bardiqit, kjo ndikon edhe në cilësinë e punës së kirurgëve.

“Nëse një kirurg i bën tri laparaskopi në ditë, atij i shlirohen duart, nëse e bën një në tri ditë, e ka më zor. Ai i pari është më zanatli, nëse unë isha kanë pacient, kisha dasht me hy në dorë të tij” – u shpreh ai.

Momentalisht, hapësirat e brendshme të këtij spitali janë duke u ngjyrosur dhe rregulluar. Të martën, menaxhmenti kishte njoftuar se pavarësisht punimeve, të gjitha shërbimet po ofrohen në mënyrë të rregullt dhe pa probleme.

Bazuar në raportimin e drejtoreshës, Spitali i Vushtrrisë ka pasur 1 mijë e 211 pacientë spitalor dhe 41 mijë e 882 vizita ambulantore gjatë gjysmës së parë të vitit. Prej tyre, 9 mijë e 669 kanë qenë vizita pediatrike.

Numri i shtretërve në këtë spital është 63, ndërsa shfrytëzueshmëria e tyre është 44.1%. Kjo përqindje e pakënaqshme, ka qenë e ngjashme në të gjitha spitalet e tjera rajonale, të vizituara nga Bordi deri më tani.

Numri i mjekëve është 38, por sipas menaxhmentit, ai nuk është i mjaftueshëm dhe në planin e tremujorit të ardhshëm, kanë paraparë plotësimin e vendeve të lira të punës.

Udhëheqësja e këtij institucioni, Shefkije Shatri premtoi se do të marrë parasysh rekomandimet e bordit dhe se do të punojë në rritjen e performncës së spitalit.

Pas përfundimit të vizitave në të gjitha spitalet rajonale, Bordi ka planifikuar që të mbajë një punëtori dhe të analizojë performancat e spitaleve për të marrë vendime në përputhje me rezultatet. Bordi në mbledhjet e tyre, i ka cilësuar performancat e spitaleve si të dobëta e në disa raste edhe shumë të dobëta.

Ky Bord përbhet nga Kryesuesi, Naim Bardiqi dhe anëtarët Dren Boshnjaku – përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni – përfaqësuese nga Klinika Stomatologjike e QKUK-së, Rrezarta Bajrami nga IKSHPK, Besim Demolli nga Spitali i Ferizajt, Vjollca Kadolli nga Shërbimi i kujdesit parësor shëndetësor dhe Naim Bardiqi si përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë.

Spitalet rajonale të cilat nuk janë vizituar ende janë Spitali i Ferizajt dhe ai i Prizrenit.

Spitali i Vushtrrisë “Sheikh Zayed” është hapur në janar të 2003 dhe është ndërtuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Vlera e tij ka qenë 3.8 milionë dollarë. I njëjti shtet kishte bërë edhe renovimin e këtij objekti në vitin 2015 në vlerë prej 7 milionë eurosh.

KALLXO.com monitoron mbledhjet e Bordit të ShSKUK-së dhe ka raportuar nga vizitat e tyre në Spitalin e Pejës dhe atë të Gjakovës.